ZOJES RRUZARE

ZOJES RRUZARE

Mbretëreshë e Rruzares së shenjtë, prej teje e kërkojmë hirin që nuk mund të na e mohosh në këtë ditë të shenjtë. Na dhuro të gjithëve dashurinë e vazhdueshme, në mënyrë të veçantë bekimin tënd amnor. Nuk dëshirojmë që sot të largohemi prej teje derisa të mos na bekosh. Bekoje, o Mari, në këtë çast Atin e shenjtë, zëvendësin e Krishtit në tokë. Ndërmjetëso për bashkimin e Kishës dhe dhuroja paqen shoqërisë njerëzore. Bekoji Ipeshkvijtë tanë, meshtarët, rregulltarët dhe rregulltaret, në mënyrë të veçantë të gjithë ata që angazhohen për nderimin e Emrit tënd, që e lusin dhe e nxisin lutjen e përshpirtërisë së Rruzares së shenjtë.

O Nënë e mirë, ki mëshirë për ne, për shpirtrat tanë, për të afërmit tanë, për miqtë, për të vdekurit, e sidomos ki mëshirë për armiqtë tanë dhe për shumë njerëz që i thonë vetes të krishterë, por vazhdimisht e lëndojnë me mëkate Zemrën e dashur të Birit tënd. Sot po e kërkojmë mëshirën Tënde për të gjithë popujt që e kanë lënë rrugën e drejtë, për mbarë Evropën dhe për mbarë botën, që të penduar t’i kthehen zemrës sate. Ki mëshirë për secilin njeri, o Nënë e Mëshirës.

Dëgjoje lutjen tonë me mirësi, o Mari! Jezusi në duart e tua e la pasurinë e hirit dhe të mëshirës. Ti je Mbretëreshë e kurorëzuar në të djathtën e Birit tënd, e stolisur me lavdi mbi të gjitha koret e engjëjve. Pushteti yt shtrihet aq shumë saqë e mbush krejt qiellin. Ty të nënshtrohet toka me të gjitha krijesat që janë në të. Po të drejtohemi Ty, sepse jemi të sigurt se nuk do të lejosh që bijtë e tu të humbasin. Fëmija që shikojmë në përqafimin tënd dhe Rruzarja e mistershme në dorë na dhurojnë shpresën se do të na dëgjosh. Prandaj, po të drejtohemi me besim të plotë, si fëmijë të dobët në duart e Nënës më besnike, dhe pikërisht sot i presim nga ti hiret që dëshirojmë.

O Rruzare e Bekuar e Zojës Mari, zinxhir i fortë që na bashkon me Hyjin dhe na njëson me engjëjt, kështjellë e shëlbimit, liman i sigurt në stuhi të fortë, nuk do të të lëmë askurrë. Ti do të jesh ngushëllimi ynë në betejën me vdekjen, ty ta dhurojmë puthjen e fundit të jetës që shuhet. Fjala e fundit në buzët tona do të jetë emri yt, o Nënë e ëmbël, strehë e mëkatarëve, ngushëllim i të pikëlluarve. Bekuar qofsh përgjithmonë dhe gjithkund, tani e përgjithmonë, në qiell e në tokë. Amen!



Current track

Title

Artist

Send this to a friend