Shenjti i ditës – 9 shtator: Shën Pjetër Klaver, rregulltar (1581 – 1654)
Written by Radio Maria on September 8, 2017
Shenjti i ditës – 9 Shtator: Shën Pjetër Klaver, rregulltar (1581 – 1654)
Bir fshatarësh spanjoll, nga Verdù, pak kilometra larg nga Barcelona, Pjetri mundi t’i linte fushat e të fillonte të studiojë, duke hyrë në Shoqërinë e Jezusit. Thirrja e tij ishte e vërtetë. Dhe e tregoi menjëherë pas noviciatit duke kërkuar të shkonte misonar në Amerikën Latine akoma më parë se të merrte shugurimin meshtarak. Në këtë drejtim e shtyu një shenjt tjetër, Alfons Rodriguez, një tregtar që ishte bërë jezuit në moshën dyzet e katër vjeçare dhe ishte dërguar si portier në Palma të Majorkës. Këtu në fakt Pjetër Klaver po përfundonte studimet e tij dhe thirrjet e Alfons Rodriguez ndezën në klerikun e ri flakën misionare, një flakë të vërtetë rrëshajësh, që ia transmetoi hirin e pagëzimit mijëra vendësve të varfër Amerikës Qëndrore, ku Pjetër Klaver u dërgua në vitin 1610 dhe ku mori shugurimin e shenjtë.
Kishte fiksuar pikën e tij të ndriçimit misionar në Kartagjenë, në Kolumbi, sepse këtu kishte mundur të shihte me sytë e tij tregun e padenjë të skllevërve, mijëra zezakë të kapur në Afrikë dhe të çuar me forcë, të stivuar në anije skllevërish, në kontinentin e ri që të shfrytëzoheshin në plantacione. Për dyzet vite Pjetër Klaver punoi mes këtyre zezakësh të mjerë, që jetonin në kushte ç’njerëzore. Dhe për të mos rënë në nostalgjinë e atdheut të largët dhe të ashtëquajturës botë civile që kishte lënë pas krahësh, bëri kushtin e veçantë për t’iu kushtuar me të gjitha forcat shpirtërore e materiale shërbimit të skllevërve dhe ndihmës së të dënuarve me vdekje. «Animam salvasti? Tuam praedestinasti»: Nëse ke shpëtuar një shpirt, ke paracaktuar tëndin për në Parajsë. Pjetri nuk i bënte llogaritë; kanë qenë bashkvëllezërit e tij që i kanë bërë dhe duket se ka pagëzuar e ndihmuar më shumë se treqind mijë skllevër zezakë e vendës. Për këtë ai është shpallur me të drejtë pajtor i misioneve katolike në vitin 1896. Tetë vite më parë ishte kanonizuar.