Shenjti i ditës – 9 shkurt – Shën Apolonia (Diella), virgjër e martire në vitin 249
Written by Radio Maria on February 7, 2017
Shenjti i ditës – 9 shkurt – Shën Apolonia (Diella), virgjër e martire në vitin 249
Ajo ishte një diakoneshë dyzetvjeçare nga Aleksandria, e dhënë pas shërbimit në Kishë sipas traditës apostolike që u besonte diakonëve e diakoneshave detyra bamirësie e ndihmëtare. Për këtë martire, shumë popullore në përshpirtëri e në kult, megjithëse tani është kufizuar në Kishat lokale, na flet ipeshkvi i Aleksandrisë, Dionisi, në një letër drejtuar Fabios së Antiokisë.
Një bashkëqytetar i saj, shkruan ipeshkvi, «shortar shpirtlig dhe poet i keq», e kishte nxitur popullsinë kundër të krishterëve. Dukej sikur turma veç e priste sinjalin: «Të gjithë u hodhën në shtëpitë e të krishterëve; secili hyri afër atyre që njihte, afër fqinjëve dhe plaçkitnin e rrënonin. Në palët e veshjeve i morën të gjitha objektet e çmuara dhe hodhën gjërat pa vlerë. Do të mund të quhej një qytetet i pushtuar dhe i plaçkitur nga armiku. Paganët morën më pas virgjërën e admirueshme, Apoloninë, e cila ishte e shtyrë në moshë. E goditën në nofulla dhe ia nxorën dhëmbët. Pastaj, pasi ndezën një turrë drush jashtë qytetit, e kërcënuan se do ta digjnin të gjallë. Ajo kërkoi që ta linin të lirë për një çast. Pasi iu plotësua kërkesa, u hodh me të shpejtë në zjarr, ku u konsumua», duke krijuar njëkohësisht një problem të madh rendi moral, përveçse njerëzor: a është e lejueshme ta kërkosh vullnetarisht vdekjen për t’i qëndruar besnike Krishtit? Martirologu romak, para vitit 1970, nuk e shtron pyetjen, por thekson thjesht gjestin e saj zemërgjerë dhe të pakushtëzuar të kushtimit Krishtit: «Apolonia u hodh vullnetarisht në turrën e druve, duke qenë e ndezur brenda vetes nga flaka më e fortë e Shpirtit Shenjt». Ky gjest ngjalli emocione përtej kufijve të Afrikës dhe në qytete të ndryshme evropiane, duke përfshirë Romën, ku në nder të sajin janë ngritur edhe kisha. Martirja, për torturën e pësuar, thirret prej atyre që vuajnë nga dhimbjet e dhëmbëve. Artistët e paraqesin me një palë pinca në dorë, që janë veglat e profesionit të dentistëve, simbol i torturës së saj.