Shenjti i ditës: 9 Qershor – Shën Efremi, diakon e mësues i Kishës (306 – 373)
Written by Radio Maria on June 8, 2017
Shenjti i ditës: 9 Qershor – Shën Efremi, diakon e mësues i Kishës (306 – 373)
Efremi Siriani, i lindur në Nisibi në Mesopotami, nuk pati një rini të lumtur. Pasi shfaqi dëshirën për të marrë pagëzimin, u përzu nga shtëpia që i ri nga i ati, prift pagan, i cili nuk ishte përshtatur me ediktin e tolerancës së Kostandinit. Duke qenë i lirë për të ndjekur thirrjen e vet, Efremi u pagëzua në moshën tetëmbëdhjetë vjeçare dhe gjeti punë në Edesa si shërbyes në banjat publike. U kthye në qytetin e lindjes, u shugurua diakon dhe drejtoi shkollën katekistike. Kur qyteteti u pushtua nga persianët, emigroi përfundimisht në Edesë, ku kaloi pjesën më të madhe të jetës, duke shkruar komente të ndryshme për Biblën dhe duke kompozuar himne në gjuhën siriane (nuk e njihte greqishten).
Për të shpallur mësimin e krishterë, të përjashtuar nga gabimet e herezisë ariane, përdori gjerësisht poezinë, duke merituar titullin «Harpë e Shpirtit Shenjtë». Lirikat e tij, të kompozuara për t’u kënduar (kënga liturgjike ishte në lulëzim të plotë në kohën e shën Ambrozit), patën sukses të menjëhershëm. Diakoni kantautor nuk kishte si qëllim lavdinë letrare. Poezia e kënga ishin për të një përçues i mirë i të vërtetës për të arritur në zemrën e njerëzve. U shërbye si një i dashuruar i vërtetë nga Gruaja më e bukur, e lumja Virgjëra Mari, për të thurur lavde me mbiemra të ngjyruar me dashuri, në një kreshendo muzikor të denjë për një artist: «Virgjëra është më e shndritshme se dielli, pajtore e qiellit dhe e tokës, paqe, gëzim, shëndet, e pastër, e papërlyer, e pamëkat, e lume…». Poeti dinte sipas rrethanave të shndërrohej në njeri veprues: gjatë zisë së bukës që goditi krejt krahinën organizoi ndihmat dhe mblodhi të sëmurët në spitale të improvizuara. Vdiq në qelinë e tij të varfër në kuvend, i dashur nga të krishterët e Lindjes e të Perëndimit. Në vitin 1920 Benedikti XV e ka shpallur mësues të Kishës.