Shenjti i ditës: 9 Mars – Shën Françeska e Romës, vejushë dhe rregulltar benediktine (1384 – 1440)
Written by Radio Maria on March 8, 2017
Shenjti i ditës: 9 Mars – Shën Françeska e Romës, vejushë dhe rregulltar benediktine (1384 – 1440)
Shën Françeska është shenjtja pajtore e automobilistëve, për shkak të engjëllit mbrojtës që ajo e shikonte gjithnjë përkrah, si prijës të sigurt. Këtë privilegj ia zbuloi rrëfyesi dhe biografi i saj, Gjon Mateoti, nga i cili i kemi të gjitha informacionet e tjera për jetën e kësaj shenjtëreshe. Françeska Brussa de’ Buxis Leoni, romane, nga turpi për emrin e pazakonshëm shtoi emrin «Romane» kur mori kushtet rregulltare, fisnike që nga lindja dhe akoma më fisnike për virtytet e krishtera, ndihej e tërhequr nga jeta e kuvendit që e re, por nuk e kundërshtoi zgjedhjen e prindërve të cilët deshën ta martonin me Lorenc de’ Poncanin, i pasur e fisnik edhe ai nga ana e tij, që e mori për të jetuar në pallatin e vet në Trastevere. Për dyzet vite jetoi përkrah të shoqit, duke mos e nevrikosur asnjëherë, gjë që ndodh rradhë.
Françeska e përdori mirë pasurinë e saj, ndihmonte njerëzit e varfër të lagjes, të cilët filluan ta donin. Shpejt dhimbja trokiti në derën e saj dhe ajo duroi me një shpirt të fortë tragjeditë familjare, siç ishte vdekja e dy prej tre fëmijëve. Ndërkohë lufta mes papës dhe mbretërisë kufitare napoletane e përfshiu djalin e tretë dhe të shoqin. Të dy dolën me plagë të rënda nga kjo luftë. I shoqi u dënua me mërgim dhe iu konfiskua pasuria. Mbyllej kështu paranteza «laike» e jetës së Françeskës. Pasi i vdiq i shoqi mundi të hynte në bashkësinë e oblateve benediktine të Tor de’ Specchi, që ajo vetë e kishte themeluar në vitin 1433. Mori kushtet me emrin Romane, dhe jetoi akoma tri vite, duke e pasuruar biografinë e saj me vizione e zbulime të jashtëzakonshme. Kur vdiq trupi i saj qëndroi për tri ditë në kishën Santa Maria Nuova, e cila gjendet në vendin e quajtur Fori Imperiali, kisha e bukur sot mban emrin e saj dhe është e preferuar nga shumë çifte që dëshirojnë të kremtojnë martesën aty. Atëherë, tota civitas, gjithë qyteti, u mblodh në këtë kishë për t’i dhënë përshëndetjen e fundit kësaj shenjtëreshe të cilën populli e donte shumë.