Shenjti i ditës: 9 gusht – Shën Tereza Benedikta e Kryqit (Edith Stein, karmelitane, 1891 – 1942)
Written by Radio Maria on August 8, 2017
Shën Tereza Benedikta e Kryqit (Edith Stein, karmelitane (1891 – 1942)
Edith Stein, mendimtare gjermane me origjinë hebreje, e lindur në Breslavia në Poloni, u formua në shkollën e filozofit të «fenomenologjisë», Husserl, qe ndihmëse e tij për disa vite. Në vitet e universitetit Edith deklarohej ateiste, por pas një takimi jo të rastësishëm me një filozof, Sheler, hyri në kontakt me mendimin e krishterë të jetës dhe me filozofinë tomiste, që e lejoi të kthehej në mënyrë progresive dhe ta rishihte fillim e mbarim doktrinën aristotelike tomiste në dritën e mendimit fenomenologjik, duke ndriçuar temat më të rëndësishme të metafizikës tradicionale. Prej disa vitesh ishte docente në Institutin gjerman të Pedagogjisë shkencore në Mynster, kur në vitin 1934, me habinë e atyre që shihnin tek ajo një prej pak grave në gjendje të maten në fushën filozofike me emrat më prestigjoz të shekullit, vendosi të bëhej murgeshë karmelitane, duke marrë pas kushteve emrin motër Benedicta a Cruce.
Nuk ishte e shtyrë nga «ankthi ekzistencial», siç tha dikush, por nga ajo tërheqje e parezistueshme që ndjejnë shpirtërat e mëdhenj ndaj absolutes. Një dhurim total i vetes të Vërtetës së ndjerë, Fjalës që e kishte rilindur, duke përmbushur në të, bija e Izraelit, premtimin e vjetër të shpëtimit. Në vitin 1938, me afrimin e internimeve të hebrenjëve në masë, me acarimin e persekutimeve racore të regjimit nazist, eprorët e saj e transferuan në kuvendin e Ecth në Hollandë. Por prej këtu u nxor me të motrën në gushtin e vitit 1942 dhe u transferua në Auschvitz, ku përfundoi pak më pas në dhomën me gaz, viktimë e holokaustit tragjik. Dy vepra të saja të publikuara pas vdekjes, tregojnë rrugën e Editit drejt braktisjes së saj të plotë tek hiri: Të jesh i mbaruar dhe të jesh i përjetshëm është Shkenca e kryqit. Kjo lule e Izraelit e mbjellë në kopshtin e Kishës është lumturuar në vitin 1987, në katedralen e Këlnit, ku Edith kishte marrë pagëzimin.