Shenjti i ditës – 8 Shkurt – Shën Jeronim Emiliani, meshtar dhe themelues (1481 – 1537)

Written by on February 7, 2017

Shenjti i ditës – 8 shkurt – Shën Jeronim Emiliani, meshtar dhe themelues (1481 – 1537)

 

            Jetimët dhe fëmijët e braktisur e kanë pajtorin e tyre. I tillë u shpall nga papa Piu XI, në vitin 1928, ky shenjt i lindur në Venecia. Ai fillimisht nuk pati aspak prirje për t’iu kushtuar fëmijëve që kishin nevojë dhe grave në vështirësi. Në fillim ndërmori karrierën ushtarake, siç ishte zakon mes fisnikëve të Serenisimas. Siç thuhet, luftërat e vazhdueshme mes shteteve të vogla të gadishullit ofronin një pushtim të sigurt. Venecia duhej të përballohej në atë periudhë me një koalicion të madh ushtrish të Legës së Kambrait.

            Në përleshjen e Kastelnuovos, Jeronim Emiliani u burgos dhe u mbyll në pjesën e fshehtë të kështjellës, nga e cila u lirua mrekullisht pas një muaji të vështirë në burg. Kjo mjaftoi që ta bënte të reflektojë djaloshin mbi pasigurinë e karrierës së ndërmarrë dhe të ndërronte drejtim. E hoqi përfundimisht shpatën dhe iu përkushtua shërimit të plagëve fizike dhe morale që luftërat ua shkaktonin më të dobtëve, fëmijëve të mbetur jetimë dhe nënave të tyre, të cilat për t’i ushqyer shkonin drejt prostitucionit.

            Por origjina e këtyre fatkeqësive nuk ishte vetëm lufta: zia e qëndrueshme e bukës kishte bërë që të përhapej murtaja. Jeronimi shiti gjithë atë që kishte dhe u nis drejt qyteteve të Republikës ku bënte kërdinë sëmundja dhe u qëndronte pranë atyre që ishin duke vdekur, ndërkohë që gjatë natës varroste të vdekurit. Tendën e tij e kishte vendosur në një fshat të Bergamos, në Somaskë. Këtu, ku njerëzit ende vdisnin nga murtaja, ai i dha jetë Kongregatës së tij, Shoqëria e Etërve somaskë. Ky ishte një institucion bamirësie, ku kishte shkolla falas dhe të hapura për të gjithë. Shkollat popullore lindën nga guximi i këtyre njerëzve të Hyjit, pikërisht në këtë periudhë. Mjafton të kujtojmë Gaetanin nga Tiene, Filip Nerin, Jozef Kalasancin, Gjon Baptistin e Salesit, Anxhela Meriçin, dhe shumë të tjerë. Jeronim Emiliani, i kanonizuar në vitin 1767, vdiq edhe ai nga murtaja, e cila iu ngjit gjatë kohës në të cilën u qëndronte afër të sëmurëve nga kjo sëmundje.


Current track

Title

Artist