Shenjti i ditës: 8 Mars – Shën Gjoni i Hyjit, rregulltar (1495 – 1550)
Written by Radio Maria on March 7, 2017
Shenjti i ditës: 8 Mars – Shën Gjoni i Hyjit, rregulltar (1495 – 1550)
Në Granadë, ku qëndroi pasi iku nga shtëpia në moshën tetë – vjeçare nga një fshat i Portugalisë, njerëzit e thërrisnin Gjoni i Hyjit, sepse nuk e njihnin mbiemrin e tij, Kiudad. Në afërsi të Granadës, fitoi bukën e gojës duke punuar si bari, pastaj shkoi ushtar në ushtrinë e Karlit V dhe i shkoi mirë, sepse në Pavia «punëdhënësi i tij» doli fitimtar kundër francezit Françeskut I.
Pasi i mbaruan lekët e fituara në punën e shkurtër ushtarake, u soll nëpër Evropë duke bërë pak nga të gjitha, punoi si shitës rrugash deri edhe argat, deri sa gjeti një punë më të sigurt, hapi një librari në Granadë. Këtu pati mundësi të dëgjonte predikimet e të lumit Gjonit të Avilës; të cilat e bënë për vete, shiti çdo gjë dhe u kthye sërish në bredhës, por këtë herë me qëllimin fisnik që t’u bënte mirë njerëzve.
Dukej sikur nuk dinte t’u thonte gjë tjetër atyre që i takonte veçse refrenin, që u bë më pas mësimi i Urdhërit të tij: «Bëni mirë, vëllezër, vetes tuaj». Ai bëri të mira të mëdha, por njerëzit e morën për të çmendur dhe e mbyllën në një çmendi. Kjo përvojë dramatike qe për të e dobishme. Duke jetuar në atë vend e kuptoi se aty nuk i kuronin të sëmurët mendor por i torturonin, shpesh nga injoranca. Kështu, sapo doli nga ai ferr, u përpoq aq shumë saqë arriti të ndërtonte një spital të vetin. Nuk kishte studiuar mjekësi, por u tregua më i aftë se mjekët, siç ndodh ndonjëherë edhe sot, duke e avancuar për katër shekuj metodën psikanalitike. Kura e shpirtit ishte kusht paraprak për kurën e trupit dhe anasjelltas. Monologu i tij, për përsëritjen e vazhdueshme të të cilit njerëzit e Granadës e kujtuan të çmendur, u zbatua nga Vëllezërit Spitalor, të quajtur «Fatebenefratelli».
Urdhri i themeluar nga ai është akoma veprues në pjesë të ndryshme të botës, metodat dhe teknikat e kurimit, veçanërisht të sëmundjeve mendore kanë zënë gjithnjë vendin e parë. Shën Gjoni i Hyjit vdiq ditën e ditëlindjes së tij; një jetë njerëzisht dhe shpirtërisht e realizuar edhe pse në një hark të shkurtër kohor prej pesëdhjetë e pesë vitesh. U kanonizua në vitin 1690 dhe u deklarua nga Leoni XIII pajtor i spitaleve dhe i atyre që u kushtohen kurimit të të sëmurëve.