Shenjti i ditës – 8 korrik: Shën Akuila e Priskila, dishepuj të shën Palit
Written by Radio Maria on July 7, 2017
Shenjti i ditës – 8 Korrik: Shën Akuila e Priskila (Priska) dishepuj të shën Palit
Në letrën e parë drejtuar Korintianëve e shkruar nga apostulli gjatë qëndrimit në Efes si mysafir i bashkëshortëve Akuilës e Priskës, lexohet në mbyllje: «Ju përshëndesin për së forti në Zotin Akuila e Priska bashkë me Kishën që bashkohet në shtëpinë e tyre». Takimi me dy bashkshortët e shenjtë kishte ndodhur në Korint në 51, kur Pali shkoi gjatë udhëtimit të dytë misionar. Mjeshtër tendash e rrogozësh si ata, apostulli gjeti menjëherë mikpritje dhe punoi në shtëpinë e dy hebrenjëve, ndoshta të kthyer në krishtërim gjatë qëndrimit të tyre në Romë. Akuila, me origjinë nga Efesi, hebre, ishte transferuar në Romë me gruan dhe kishte formuar një aktivitet të vogël tregtar. Dhe kur perandori Klaudi dëboi nga qyteti të gjithë hebrenjtë, dy bashkshortët u strehuan në Korint. Kishin një zanat të mirë dhe me kursimet e grumbulluara gjatë aktivitetit të zhvilluar në Romë arritën të gjenin punë e shtëpi për vete dhe për të tjerët me të njëjtën fe. Në fakt me ardhjen e tij në qytetin aktiv të Korintit, Pali iu adresua menjëherë dy bashkëshortëve bujar. Ai i nuhati cilësitë e tyre të mira dhe ndihmën që do të kishte mundur të marrë në misionin e vështirë për të shpallur Ungjillin mes njerëzish shumë të zënë me punë dhe moralisht të paturp. Pastaj për të mos dhënë shqetësime të mëtejshme, Pali zgjodhi si vend mbledhje për bashkësinë e krishterë që po lindte shtëpinë e neofitit Ticio Justit, por vazhdoi ta fitonte bukën në dyqanin e Akuilës e Priskës, të cilët kujdeseshin edhe për ushqim e strehë. Nderimi i dy bashkshortëve ndaj Apostullit dëshmohet nga fakti se vendosën ta linin Korintin dhe ta shoqëronin në Efes. Kjo dëshmon se ata ishin pjesmarrës të aktivitetit misionar të shën Palit, me të cilin bashkëpunonin; vazhduan katekezën apostolike pas nisjes së Palit nga Efesi. Neofiti Apoli ishte mësuar dhe përgatitur për pagëzim nga dy bashkshortët. Për ta nuk dihet më shumë. Sinaksari kostandinopolian i cilëson si «apostuj e martir».