Shenjti i ditës – 8 dhjetor – Zoja e Papërlyer

Written by on December 7, 2016

Shenjti i ditës – 8 dhjetor – Zoja e Papërlyer

 

            Në pafajsinë e Marisë, në të zënët e saj të papërlyer të krishterët dallojnë përfytyrimin njerëzor të Hyjit të bërë njeri.Të zënët e saj të papërlyer dhe virgjëria e saj janë kushti që Hyji të fillojë një krijim të ri. Lajmërimi është çelësi i këtij privilegji të jashtëzakonshëm marian. Virgjëra «e quajtur Mari» ka pëlqimin e veçantë prej Hyjit sepse është hirplote, Eva e re, bukuri e paprekur e dalë prej duarve të tij, e bërë sipas përfytyrimit dhe ngjashmërisë së tij. Ajo është objekti i përhershëm dhe ekskluziv i dashurisë së Hyjit, horizonti i të cilit me të prek atë të njerëzimit të pajtuar me Hyjin. Në krahërorin e saj amnor Hyji – njeri mishërohet dhe bëhet një me të. Vetë vendosja e festës në kalendarin liturgjik (e vendosur në Perëndim në 1476, por e kremtuar në shekullin VII nga Kisha lindore) thekson kuptimin tipik të së Papërlyerës, «si pritje» dhe «ardhje» e Hyjit në mes të njerëzve.

            Beslidhja e Vjetër nuk është gjë tjetër veçse një pritje e gjatë e Shpëtimtarit, dhe si pasojë «e Virgjërës që duhet të lindë» e paralajmëruar nga Isaia. At Daniélou shkruan: «Maria nuk është vetëm bija e Izraelit por krijesa me të cilën populli i zgjedhur përhapet në të gjithë njerëzimin, meqenëse ajo është njëkohsisht bija e Abrahamit dhe bija e Davidit, dhe Mater divinae gratieae, ndërmjetëse universale, nënë e njerëzve». E ngjizur si të gjithë bijtë e Abrahamit, Hyji ka bërë për të një përjashtim jo në rendin e natyrës, por në atë të hirit: kështu që nga çasti i parë i ekzistencës së saj, Maria është priveligjuar nga miqësia e Hyjit, d.m.th nga jeta hyjnore. Ky privilegj nuk e largon prej veprës së shpëtimit: në të kundërt, është e favorizuar në mënyrë të pakrahasueshme  përmes «një shpëtimi» mbrojtës. Të krishterët që nga fillimi e kanë thirrur si «Krejt e shenjta» (panaghia). Në 1708 Klementi XI e shtriu festën, e cila u bë e detyrueshme, në të gjithë krishtërimin dhe Piu IX  me vulën e ineffabilis Deus të 1854 përcaktoi solemnisht dogmën e Të Zënët të Papërlyer, kështu deshi të quhej virgjëra kur iu shfaq katër vite më pas Bernardet Soubirous. «Në nder të Trinisë së shenjtë e të pandashme, për lavd e nder të Virgjërës Nënës së Hyjit…», lexohet në vulën e papës, «deklarojmë, shpallim dhe përcaktojmë se doktrina, e cila pohon se Virgjëra e Shenjtë Mari, në çastin e parë të të zënit të saj, nga një hir i veçantë dhe nga një privilegj i Hyjit të gjithpushtetshëm dhe prej meritave të Jezu Krishtit, Shpëtimtar i njerëzimit, është përjashtuar nga çdo njollë e mëkatit origjinal, është doktrinë e zbuluar prej Hyjit dhe duhet besuar vendosmërisht dhe vazhdimisht nga të gjithë besimtarët».


Current track

Title

Artist