Shenjti i ditës – 7 shtator: Shën Grati i Aostës, ipeshkëv
Written by Radio Maria on September 6, 2017
Shenjti i ditës – 7 shtator: Shën Grati i Aostës, ipeshkëv
Për ipeshkvin e shenjtë, pajtor të Aostës, ruhet vetëm një dëshmi e shkruar, një firmë që ai e vuri kur ishte meshtar i thjeshtë në emër të ipeshkvit të tij Eustasit në një letër dërguar papës shën Leonit të Madh në përfundimin e Koncilit provincial të Milanos të vitit 451. Gjë e vogël, por e mjaftueshme për t’i bërë historikisht të papërdorshme Veprat e shën Gratit të shkruara në shekullin e XIII nga një kishtar pak i ngutshëm, që e vendos shën Gratin në kohën e Karlit të Madh. Firma në dokumentin dogmatik, që sillte një kontribut të dioqezës së Aostës zgjidhjes së problemit të dy natyrave (njerëzore e hyjnore) në Krishtin, nuk është gjithsesi shenja e vetme e ekzistencës së këtij shenjti. Mbetet për të dëshmuar shenjtërinë përshpirtëria e hershme që iu kushtua nga të krishterët e Aostës dhe nga të gjithë banorët e luginës që kërkonin ndërmjetësimin e shenjtit pajtor jo vetëm për hire të veçanta, por edhe për të pasur mbrojtjen e tij në fusha, që ta bënte të padëmshëm veprimin karkalecave, krimbave. Në atë epokë nuk kishte kërpudhëvrasës.