Shenjti i ditës – 7 Shkurt – Shën Romualdi, abat dhe themelues (951 – 1027)
Written by Radio Maria on February 6, 2017
Shenjti i ditës – 7 shkurt – Shën Romualdi, abat dhe themelues (951 – 1027)
Themeluesi i kuvendit të famshëm të Kamaldolit përkujtohet liturgjikisht më 19 qershor, ditën e vdekjes së tij. Sot është përvjetori i zhvendosjes së trupit të tij, që ka qëndruar mrekullisht i paprishur, nga Valdikastri afër Kamaldolit në Fabriano.
Romualdi lindi në Ravenë në familjen fisnike të Onestëve, emër të cilin i ati e nderoi pak, pasi siç tregon historia, Shën Romualdi qe spektator i pavullnetshëm i një krimi që bëri i ati. Djaloshit i bëri kaq përshtypje aq sa ai vendosi të ikte nga shtëpia dhe të bëhej murg në abacinë benediktine të Klasit, pak larg Ravenës. U zgjodh abat i këtij kuvendi, por në këtë detyrë qëndroi për pak kohë. Mijëvjeçarit po i vinte fundi dhe shumë të krishterë, duke iu frikësuar afrimit të fundit të botës, ndërmerrnin shtegtime rraskapitëse pendestare. Edhe Romualdi, sigurisht jo për t’u dhënë të drejtë këtyre frikësimeve pa arsye, e braktisi jetën e qetë të kuvendit për t’u nisur në udhëtim pa një pikëmbërritje të caktuar. Për këtë e shtynte prirja e lindur për jetën endacake. Kudo që qëndronte, themelonte kuvende të reja, ndër të cilët më i famshmi është pikërisht kuvendi i Kamaldolit, që është edhe sot e kësaj dite oaz përqendrimi fetar për ata që dëshirojnë t’i largohen qoftë edhe për pak ditë zhurmës së botës.
Në këtë qoshe të provincës së Arezit, benediktinët kamaldolezë zbatojnë një tip jete vetmitare, që bashkon vetminë e rreptë të murgjve të lindjes me jetën e murgjve të zbatuar në perëndim nga Shën Benedikti.
As vendi i vetmuar i Kamaldolit nuk arriti ta mbante murgun bredhës. Janë të shumta ndalesat e shtegtimit të tij të përjetshëm. Hoqi edhe njëherë dorë nga dinjiteti i abacisë, që i ishte imponuar nga perandori Otoni III, admirues i tij. Pasi e bindi të atin të bëhej murg në Shën Severo, kërkoi për vete një strehë më të sigurt, fillimisht në Montekasino, në Vergereto, Lemo, Romë, Fontebuona, në Valombroza dhe së fundi në Valdikastër, ku edhe vdiq. Por as pas vdekjes, siç e pamë, nuk pati një banesë të caktuar.