Shenjti i ditës: 7 Prill – Shën Gjon Pagëzuesi de la Salle, rregulltar themelues (1651 – 1719)

Written by on April 4, 2017

Shenjti i ditës: 7 Prill – Shën  Gjon Pagëzuesi de la Salle, rregulltar themelues (1651 – 1719) 

 

Parimet e reja edukative, origjinale e revulocionare për epokën e tij, në të cilën bazohet shkolla e themeluar nga ky pioner, e vendosin Shën Gjon Pagëzuesin de la Salle mes njerëzve më të merituar në fushën e edukatës dhe të vetë kulturës. Edhe në botën perëndimore kultura elementare ishte një privilegj për pak fatlum, ndërsa në klasat më të varfëra mbretëronte plotësisht analfabetizmi. Gjon Pagëzuesi i lindur në Reims në Francë, nga familja e pasur dhe fisnike e de La Salle,  pati privilegjin të merrte një kulturë me baza në Sorbonën e Parisit. Pasi u shugurua meshtar në vitin 1678 (më përpara kishte qenë për 11 vite kanonik i kapitullit të katedrales, privilegj tjetër që u takonte pak personave),  e kuptoi se duhej ta ndreqte padrejtësinë shekullare që i mbante të varfërit larg nga shkolla.

Me ndihmën e dymbëdhjetë të rinjëve të tjerë vullnetarë, në vitin 1684 themeloi Bashkësinë e Vëllezërve të Shkollave të krishtera. Duke u nisur nga e drejta deri te dhurimi falas dhe përgjegjësia e arsimit, themeloi «shkollat e para popullore», duke futur një mësim me karakter të thjeshtë e profesional. Si gjuhë kryesore nuk ishte latinishtja, por menjëherë gjuha amtare, me objektiva minimale në fillim, të arritshëm për të gjithë, që përfshinin leximin, shkrimin, ortografinë dhe aritmetikën (të ashtëquajturat aftësi bazë) dhe si hyrje një gjysëm ore katekizëm. Gjysëm orëshi i përditshëm i mësimit të fesë është akoma sot i detyrueshëm në të gjitha shkollat e Vëllezërve, të përhapura tashmë në pesë kontinente dhe universalisht të vlerësuara e të lakmuara për seriozitetin e studimeve dhe përgatitjen e docentëve. Një prej karakteristikave të shkollës lasaliane është ndarja e klasave në seksione, në bazë të nivelit të zhvillimit të nxënësve, në mënyrë që më të talentuarit dhe të përparuarit t’i ndihmojnë ata që ecin më ngadalë. Nxënës e docent në të njëjtën kohë. Dymbëdhjetë vullnetarët e orës së parë u bënë një legjion, me një veçanti, nuk bëhen meshtar. Misioni i tyre u zhvillua kryesisht në sallat shkollore. Shën Gjoni vdiq në Saint – Yon dhe u kanonizua në vitin 1900.


Current track

Title

Artist