Shenjti i ditës – 7 mars – Shën Perpetua e Felicita, martire në vitin 203
Written by Radio Maria on March 6, 2017
Shenjti i ditës – Shën Perpetua e Felicita, martire në vitin 203
Mundimi i Perpetuas dhe i Felicitës, dy nëna të reja kartagjenase të dënuara para kafshëve, ad bestias, në cirk, bashkë me Saturin, Saturninin, Revokatin dhe Sekondulin, i ka mbushur me mallëngjim e admirim breza të tërë. Nuk është një tregim i zakonshëm, shpesh i pamundshëm ose i fantazuar, i disa Mundimeve; është ditari i shkruar në burg nga vetë protagonistja Perpetua – shënimet janë kompletuar më vonë nga një dorë tjetër, ndoshta nga Tertuliani – drama është e jetuar në brendësi të shpirtit, e parë me sytë e një gruaje, të kujdesshëm ndaj hollësive. «U futëm në burg», shkruan Perpetua «dhe mbeta e tronditur, sepse nuk isha gjendur ndonjëherë mes një errësire kaq të dendur. Të rrasur aty, ndiheshim sikur po na zihej fryma nga i nxehti, sepse ushtarët nuk kujdeseshin për ne».
Pesë katekumenët dhe katekisti i tyre, Saturnini, ishin burgosur më pas me ediktin e Setimo Severos i cili e ndalonte kthimin në krishtërim. Në qelinë e errët qëndruan për disa kohë, në pritje që Feliçita, e cila ishte shtatëzënë, të sillte në jetë të birin. Trajtimi ç’njerëzor që iu rezervua së ëmës nuk ka të përngjarë. Gjatë dhembjeve, gruaja e re lëshonte ndonjë rënkim dhe ushtari i rojës e përqeshte duke i thënë: «Si do të ankohesh kur do të shqyejnë egërsirat?». Felicita ia ktheu kështu: «Tani jam unë që vuaj; atë që do ta vuaj më vonë, nuk do ta vuaj unë, por do ta vuaj Krishti për mua». Felicita jetonte si skllave në shtëpinë e familjes së pasur të Perpetuas, i ati i të cilës, akoma pagan, nuk e kuptonte këmbënguljen e dy grave. E luste të bijën që ta shqiptonte atë fjalë të shkurtër mohimi që do ta lejonte të kthehej në familje. Edhe Perpetua kishte një fëmijë të vogël. «Ke detyrime ndaj krijesës së brishtë», i përsëriste i ati. Por përgjigjia ishte gjithnjë e njëjta «Nuk mundem jam e krishterë». Ishin pagëzuar në burg, nga katekisti. Sekonduli kishte vdekur nga mundimet. Flia e të tjerëve u bë në arenë: dy gratë të varura në një rrjetë u coptuan nga brirët e një kafshe të egërsuar dhe pastaj u kokprenë. Ishte 7 Marsi i vitit 203.