Shenjti i ditës: 6 Prill – Shën Marçelini, martir (+413)

Written by on April 4, 2017

​​​​​​​Shenjti i ditës: 6 Prill – Shën  Marçelini, martir (+413)

 

Martirizimi i tij është i lidhur me skizmën donatiste që e copëtoi Kishën afrikane në kohën e shën Augustinit, me të cilin Marçelini ishte mik. Marini gjeneral, pasi mundi Herakliun që ishte përpjekur të merrte Romën, e cila qe munduar nga Alariku në vitin 410, u dërgua në Afrikë për të rivendosur rregullin. Marini u tregua në favor të çështjes së donatistëve dhe u ofrua për të hequr qafe tribunin Marçelinin dhe të vëllain Apringjin, që ishte i pari i ipeshkvinjëve të Kartagjenës dhe prokonsull i Afrikës, i cili ua kishte dorëzuar fitoren katolikëve. Të dy u akuzuan për përkrahjen që i dhanë rebelit Heraklianit. Pasi u burgosën, u dënuan me vdekje. Augustini u përpoq në të gjitha mënyrat për t’ia shpëtuar jetën. Nuk ishte e lehtë të paraqiteshin  prova që dëshmonin pafajsinë e Marçelinit, për të cilin qarkullonin zëra shpifës.

Augustini na referon rezultatet e atij takimi: «Pasi këto faje ishin të zakonshme mes njerëzve (i referohet akuzës së bashkjetesës pa kurorë), isha i shqetësuar. Duke folur ballë për ballë me mikun e burgosur e pyeta nëse kishte për të rrëfyer ndonjë mëkat për të cilin t’i kërkonte të falur Hyjit me pendesë më të ashpër e të veçantë. Ai atëherë si person me sedër, u skuq, sapo i përmenda atë dyshim timin, që megjithëse i gënjeshtërt, më ishte referuar. Megjithatë e mirëpriti këshillën time me mirënjohje të madhe. Pastaj i qetë në fytyrë, me shumë seriozitet e përvujtëri ma kapi të djathtën e më tha: “Betohem për sakramentet që më janë ofruar nga kjo dorë se nuk jam bashkuar kurrë me një grua tjetër veçse me gruan time, si para dhe pas martesës… Hyji i lejon këto vuajtje të mia në mënyrë që po të më duhet të derdh gjakun tim të mund t’i shlyej këtu mëkatet e mia e të mos fajësohem në gjykimin e ardhshëm». Marçelini dhe i vëllai u dënuan me vdekje pa një proces të rregullt. Pak ditë më pas u kthyen nga Ravena dy murgj të dërguar nga Augustini me vendimin e pafajsisë të dhënë nga perandori.


Current track

Title

Artist