Shenjti i ditës: 6 Mars – Shën Roza nga Viterbo, pajtore e të rejave të Veprimit Katolik (1234 – 1252)
Written by Radio Maria on March 3, 2017
Shenjti i ditës: 6 Mars – Shën Roza nga Viterbo, pajtore e të rejave të Veprimit Katolik (1234 – 1252)
Shenjtëresha tetëmbëdhjetë vjeçare nga Viterbo i përket periudhës së lulëzimit të mrekullueshëm të shenjtërve të shekullit XIII, përkrah Françeskut, Domenikut, Tomës, Bonaventurës, Kiarës … Roza ishte bija e një fshatari të thjeshtë; e kaloi fëmijërinë në Viterbo në një shtëpi me qera në rrugën Santa Maria del Poggio. Në një natë të 22 qershorit, mes viteve 1244 dhe 1250, iu shfaq Virgjëra që e ftoi t’i paraqitej zonjës Zita, eprore e terciereve françeskane dhe të shkonte në procesion me të e gra të tjera në tri kishat e Viterbos. Roza u bind dhe dy ditë më pas, gjatë rrugës, ndërsa po shkonte në procesion duke mbajtur një ikonë të shenjtë, i ftonte bashkqytetarët e saj në pendesë dhe besnikëri ndaj papës.
Në qytetin papnor guelfët dhe gibelinët, me në krye fiorentinin Mainetin e Bovolit, u radhitën në fronte të kundërta. Maineti, i cili mbante anën e perandorit Frederikut II, mendonte se thirrjet e Rozës përbënin një rrezik për rendin publik dhe urdhëroi që gjithë familja të shkonte në mërgim. Urdhri zgjati pak sepse me vdekjen e perandorit të parashikuar nga Roza, familja mundi të hynte në Viterbo. Vajza e re, pasi kishte marrë famë si mrekullibërëse, shkoi të trokiste në kuvendin «e damianiteve» (të cilat do të quhen klarise pas vdekjes së shën Kiarës, e cila ishte akoma gjallë). Kërkesa e saj u refuzua në mënyrë të pashpjegueshme: Për Rozën flitej shumë në qytet, dhe motrat e klauzurës nuk e duan shumë reklamën. Roza nuk e mori për të keq; por u kufizua duke thënë se një ditë do të gëzohen që do ta kenë të vdekur atë të cilën nuk deshën ta pranonin si simotër sa ishte gjallë. Në fakt, gjashtë vite pas vdekjes së saj papa Aleksandri IV e zhvarrosi trupin e Rozës, që u gjet i paprekur në kishën e santa Maria del Poggio dhe e vendosi në kishën ngjitur me kuvendin e klariseve. E kanonizuar në vitin 1457, shën Roza nga Viterbo në vitin 1922 është shpallur nga Benedikti XIV pajtore e Rinisë Femërore të Veprimit Katolik.