Shenjti i ditës – 6 korrik: Shën Maria Goreti, virgjër e martire (1890 – 1902)
Written by Radio Maria on July 5, 2017
Shenjti i ditës – 6 korrik: Shën Maria Goreti, virgjër e martire (1890 – 1902)
Në kanonizimin e martires së re të pastërtisë, që u bë në 1950, në praninë e së ëmës, Asunta Karlini dhe të vrasësit të saj, Aleksandër Serenelit, turma ishte e tillë sa që për të parën herë ceremonia u mbajt në Sheshin e Shën Pjetrit. Kur vdiq në spitalin e Netunit, pas vuajtjesh të tmerrshme në ndërhyrjet e gjata kirurgjikale pa anestezi, vetëm një gazetë e referoi ndodhinë, katër muaj më pas duke shkruar’/: «Në ditën e 5 korrikut një krim i egër u krye në pronën e Konçës në atë të Netunit. Maria Goreti, vajzë e mirë dhe e dashur vetëm dymbëdhjetë vjeçe, u sulmua për qëllime të këqija nga një far Aleksandër Sereneli, i cili duke mos mundur të fitonte ndaj qëndresës së saj, e bëri shoshë me plagë, të cilat e gjora nuk i përballoi» (Vera Roma).
Maria kishte lindur në Korinaldo të Ankonës me 16 tetor në një familje argatësh. Iu desh të emigronin për mungesë pune në 1897, më parë në Paliano, pak kilometra larg nga Fiugji, pastaj në Ferriere të Konças në mes të kënetave pontine, akoma të pathara, ku ishte rreziku i malarias, që merrte jetë njerëzore pikërisht në kohën e korrjes. Luigji Goreti, babai i Marisë vdiq nga therja vdekjeprurëse e mushkonjës anofele, duke ia lënë nënës Asuntës detyrën për të rritur gjashtë fëmijët. Maria Tereza, e quajtur familjarisht Marieta, ishte vajza e dytë dhe ishte vetëm dhjetë vjeçe kur iu desh të ndihmonte nënën qoftë për të hapur tokat larg kënetave, për të mbjellur dhe për të korrur grurë, qoftë në punët e shtëpisë duke u kujdesur për dy motrat Ersilian dhe Terezën. Ishte normale që Maria të mos dinte as të lexojë e as të shkruajë. Megjithatë nuk e la pas dore mësimin e gjërave fetare, sipas shembullit të nënës e cila edhe pse analfabete e kishte mësuar përmendësh katekizmin dhe pjesë të Ungjillit, shkronjat dhe shpirtin e të cilit ua transmetoi fëmijëve. «E gjeja gjithnjë me rruzare në dorë që e linte vetëm kur punonte»: dëshmia është e Aleksandrit, që shumë herë ishte përpjekur ta bindte për t’i kënaqur me të dëshirat e veta, të cilit Maria i ishte përgjigjur: «Jo, jo, më mirë vras veten!».
Djaloshi pas të njëqindtit refuzim, e qëlloi egërsisht me një fëndyell hekuri katërmbëdhjetë herë: «Dëshironte që unë të bëja gjëra të këqija dhe unë nuk kam dashur», i murmuon shenjtëresha e vogël e kënetave, nënës. Pastaj pak çaste para se të vdiste në shtratin e spitalit shqipton fjalë falje: «Po e fal, e fal me zemër dhe shpresoj që edhe Zoti ta falë. E dua me mua në Parajsë».