Shenjti i ditës: 5 tetor – I lumi Raimondi i Kapuas, rregulltar domenikan (+1399)

Written by on October 4, 2017

Shenjti i ditës: 5 tetor – I lumi Raimondi i Kapuas, rregulltar domenikan (+1399)

 

Ishte student i ri drejtësie në universitetin e Bolonjës, dhe frekuentonte përveç sallave universitare, edhe Kishën që ruan pjesët mortore të shenjtit të madh themelues të Urdhërit të fretërve predikatar, shën Domenikut. Lindi kështu në Raimondin e ri të Kapuas dëshira për t’i ndërruar adresë jetës së vet. Pasi hyri në Urdhërin domenikan dhe u shugurua meshtar, në një kohë të shkurtër arriti në detyrat më të larta derisa u bë mësues i përgjithshëm i Urdhërit, të cilit ai ia ktheu disiplinën e vjetër aq sa kujtohet si themeluesi i dytë i domenikanëve. Por emri i tij është i lidhur kryesisht me atë të shën Katerinës nga Siena, të cilën kapitulli i përgjithshëm ia besoi si rrëfyes dhe si këshillilltar. Ishte e pashmangshme që nga mësues të bëhej dishepull i mistikes së madhe sieneze. Madje u bë lajmëtar dhe ua çoi mesazhet e shenjtëreshës, të shkruar dhe me gojë, personazheve të ndryshme të kohës së tij. Mesazhe pak diplomatike në stil, për atë «dua» të përsëritur e të prerë me të cilin Katerina mbronte çështjet civile e fetare, këshillonte ose qortonte. «Tani duam», i shkruan shën Katerina papës Gregorit XI, «të kemi atë uri të lavdishme që kanë pasur ata shenjtër dhe barinj të vërtetë të kaluar, dhe të shuajmë në ne këtë zjarr, d.m.th të dashurisë për vete. Të bëjmë si ata, që me zjarr shuanin zjarrin; pasi aq i madh ishte zjarri i dashurisë së paçmueshme e të flakët që digjej në zemrat e shpirtërat e tyre, që ishin të uritur, dhe ishin bërë tërheqës shpirtërash. Oh zjarr i ëmbël dhe i lavdishëm, që është me virtyt të shumtë, që shuan zjarrin, dhe çdo qejf e kënaqësi të ç’rregullt, dhe njëkohësisht dashuri për veten; dhe bën si pika e ujit, që shpejt konsumohet në furrë».

Raimondi, i përvujtë dhe i përshpirtshëm, duke e ditur se «lajmëtari nuk sjell dhimbje», i përshtatej stilit të bijës dhe mësueses shpirtërore, ose më mirë nënës siç e quanin me dashuri dishepujt. Perëndimi ishte në ndarje të plotë dhe Raimondi bashkpunoi aktivisht me shenjtëreshën qoftë për bashkimin e Urdhërit qoftë për bashkimin e Kishës dhe për kthimin e papës në selinë e tij natyrale të Romës. Pas vdekjes së shën Katerinës, i harxhoi krejt energjitë e tij në shërbim të bashkëvëllezërve dhe papës, i cili e ngarkoi me misione të rëndësishme në Shtetet e ndryshme evropiane.


Current track

Title

Artist