Shenjti i ditës – 5 shkurt – Shën Agia, virgjër e martire (250)
Written by Radio Maria on February 3, 2017
Shenjti i ditës – 5 shkurt – Shën Agia, virgjër e martire (250)
Agia, Luçia, Anjeza, Çeçilia, Anastasia: sot mund të themi se emrat e këtyre shenjtëreshave janë ndër më të rëndësishmit. Ato janë përfshirë në kanonin e meshës dhe qëndrojnë në krye të një numri të madh virgjërash që kanë dëshmuar me martirizim besnikërinë ndaj Krishtit. Kulti liturgjik i martires së shenjtë kataneze është i një date të vjetër. Papa Simaku i kushtoi asaj që në shekullin V një bazilikë përgjatë rrugës Aurelia. Ndërsa ai që e përfshiu në të ashtuquajturin kanonin romak duket se ka qenë Shën Gregori i Madh.
Për Agen, historia dhe legjenda përputhen njëra me tjetrën, madje edhe me datën e martirizimit, me vitin 250, që i ka dhënë Kishës një numër të madh shenjtërish. Edhe pse Palermoja mburret se ka mes bashkëqytetarëve të tij të shquar këtë shenjtëreshë (shumë popullore sidomos në Siçili), duket qartë se një nderim i tillë i takon Katanisë, që e ruan në katedralen e saj, të siguruar mirë, kraharorin e paprekur të virgjërës, kundër të cilit ishte ngritur pretendenti i refuzuar. Ky ishte konsulli Kuincian, të cilin e tërhoqi bukuria e saj dhe prandaj e kërkoi për grua. «Tiran i pamëshirshëm», thuhet se i ka thënë Agia xhelatit të saj, «nuk të vjen turp të torturosh kraharorin e një gruaje, në të cilin edhe vetë e more jetën».
Mundimet që tregojnë me mjaft hollësi torturat që kanë pësuar martirët përkatës nuk kanë sigurisht një fund të mirë, megjithëse ka pasur mrekulli të tilla që cilat e bëjnë të reflektojë edhe përndjekësin më të ashpër. Agia ishte një vajzë që vinte nga një familje e mirë nga qyteti i shkëlqyeshëm në të cilin kishte lindur. E pasur dhe shumë e bukur, ajo mund të zgjidhte mes pretendentëve të shumtë që i kërkonin dorën. Por, ajo parapëlqeu të zgjidhte rrugën fisnike të kushtimit Krishtit me kushtin e virgjërisë. Kjo nuk iu duk një pengesë e madhe Kuincianit konsull që e rikërkoi për nuse. Pas refuzimit të saj, ai përdori artet magjike për ta fituar. Por, asnjë dashuri nuk e ndihmoi t’i tejkalonte kundërshtimet e saj. Në fund, për ta fituar, përdori torturat, duke i shkaktuar këtij trupi të ri plagë që e shëmtuan rëndë trupin e saj femëror. Pastaj, ia la në dorë xhelatit, i cili e vendosi Agen në gaca zjarri. Për këtë arsye, populli i Katanisë e thërret Shën Agen sa herë që u kërcënohet vullkani që e kanë afër.