Shenjti i ditës: 5 Qershor – Shën Bonifaci, ipeshkëv e martir (673 – 755)
Written by Radio Maria on June 3, 2017
Shenjti i ditës: 5 Qershor – Shën Bonifaci, ipeshkëv e martir (673 – 755)
Këtij misionari të palodhshëm anglez i jepet merita se e ka bërë të mundur, me ungjillëzimin e popujve gjermanikë përtej Renit, organizimin politik e shoqëror evropian, që u përfundua pak pas sundimit të Karlit të Madh. Vinfridi, që do të marrë emrin e martirit Bonifacit në vitin 719 kur papa Gregori II do t’i besojë zyrtarisht misionin mes popujve gjermanikë, kishte lindur në Krediton në Devon. Në moshën pesë vjeçare hyri në kuvendin benediktin të Ekster. Pasi u shugurua meshtar në Uinchester, duke ndjekur shembullin e murgjve anglez e irlandez, shkoi në kontinent i shtyrë nga dëshira për t’u çuar Ungjillin popujve pagan të Evropës qëndrore. Rrethanat nuk i qenë të favorshme. U kthye dy vite më pas, i pajisur këtë herë me aprovimin dhe mandatin e papës, që i besoi një letër rekomandimi adresuar mbretit të fuqishëm të Frankëve, Karl Martelit.
Bonifaci punoi për disa vite përkrah një misionari tjetër të famshëm,Vilibrordit, duke vizituar Baiern, Turinginë dhe Frizinë dhe duke pagëzuar mijëra paganë. Papa Gregori II e vlerësoi veprën e misionarit dinamik dhe e thirri në Romë duke e emëruar në vitin 722 ipeshkëv të të gjithë Gjermanisë transrenane. Nga viti 724 deri në vitin 731 Bonifaci iu kushtua ungjillëzimit të Saksonisë, popullatat e të cilës ishin krejtësisht pagane. Në këtë depërtim u ndihmua nga misionarët anglez e irlandez të cilët ai i linte më pas për të vazhduar veprën në misionet e ndryshme. Meshtarët përshtateshin për të bërë pak nga të gjitha, mësues shkolle, marangoz, infermier, disa u vunë në krye të kuvendeve të themeluar nga ipeshkvi i shenjtë, tashmë arqipeshkëv metropolit i Magonxës pasi që papa i ri Gregori III i dërgoi nga Roma stolën me autoritetin për të shuguruar ipeshkvinj të tjerë në territoret e ungjillëzuara. Në vitin 753 zgjodhi ndihmës të tij në selinë e Magonxës dishepullin besnik Lulin dhe u nis për misionin e fundit në Frizi. Zbriti me disa varka përgjatë Renit dhe shkoi në Doklum ku ishin mbledhur neofitë të shumtë për krezmim në ditën e Rrëshajve. Gjatë kremtimit të 5 qershorit, një turmë frizonësh të armatosur me shpata u futën në fushë. Bonifaci u bë mburojë me ungjillin por goditja e shpatës e preu më dysh librin dhe e këputi kokën e plakut të palodhshëm. Ipeshkvi Luli e çoi trupin e tij në kuvendin e themeluar nga shenjti në Fulda, qendër shtytëse e përshpirtërisë dhe kulturës rregulltare të Gjermanisë.