Shenjti i ditës – 5 nëntor – I Lumi Imzot Vinçenc Prennushi me shokë, martirë

Written by on November 4, 2016

Shenjti i ditës – 5 nëntor – I Lumi Imzot Vinçenc Prennushi me shokë, martirë

Imzot Vinçens Prenushi

Lindi në Shkodër, më 4 shtator 1885. Shkollën fillore dhe liceun e kreu ne kolegjin e françeskanëve në Troshan, kurse teologjinë në Tirol (Austri). Meshën e Parë e kremtoi më 19 mars 1908. Qe drejtor i shtypshkronjës françeskane, Guardian i Kuvendit të Shkodrës. Dy herë qe provincial. Më 19 mars 1936, u shugurua Ipeshkëv i Sapës e pastaj u emërua Arqipeshkëv i Durrësit. Njeri i përvuajtur, i zellshëm, i butë, organizues i Ipeshkvnisë, njeri shumë i mençur dhe shkrimtar i mirë. U arrestua më 19 maj 1947 dhe u dënua me 20 vjet burg. Vdiq në burgun e Durrësit, më 19 mars 1949. Martir i fesë.

Dom Alfons Tracki

Lindi më 2 Dhjetor 1896 në një familje, të ndikuar nga një traditë luftarake në Bleischëitz/Bliszezyce (Wroclaw) me prejardhje polake. Pasi mbaroi studimet teologjike në Bosnje në vitin 1920, u transferua në Shkodër si misionar. Luftoi me ngulm traditat e këqija, siç është prirja për tu hakmarrë dhe marrja e gjakut. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, disa herë u bë ndërmjetësues tek oficerët gjermanë për të liruar shumë shqiptarë, ndër të cilët kishte edhe të rinj komunistë. Kontribuoi shumë edhe në krijimin e një ekuilibri më të mirë të bashkëjetesës dhe të dashurisë reciproke ndër bashkësitë fetare. U pushkatua më 18 korrik 1946.

Dom Anton Muzaj

Lindi në Vrnakollë (Kosovë), më 19 Mars 1921. Shkollën e mesme e kreu në Seminarin Papnor Shqiptar në Shkodër. Në vitin 1938 shkoi në Romë në Kongregatën Propaganda Fide dhe studioi teologji në Universitetin Gregorian. U shugurua meshtar më 19 mars 1944. Në vitin 1946, u kthye në atdhe. Në vitin 1948 u arrestua dhe pas shumë torturave u lirua. Vdiq në Arqipeshkvinë e Shkodrës, për shkak të pasojave të torturave, në pranverë të vitit 1948. Pra: është vrarë “in odium fidei”. Ishte i devotshëm dhe i zellshëm; si karakter gjithmonë i gatshëm dhe shumë i përvuajtur.

Atë Serafin Koda

Lindi në Janjevë (Kosovë), më 25 Prill 1893. Meshën e Parë e kremtoi më 30 korrik 1925. Qe famullitar në Lezhë, kur u arrestua dhe u torturua. U arrestua pas një takimi t françeskanëve në Lezhë për arsye ekonomike, të cilit organi i sigurimit donte t’i jepte kuptim politik, sikurse e kishin zakon ata. Kërkonin dëshmi nga Atë Serafini, por ai nuk pranonte t’i akuzonte vëllezërit e vet. Vdiq në Lezhë, ndër tortura, më 11 maj 1947. Ka qenë misionar i zellshëm. Infermierja Marie Ndoja, që e mjekonte në momentet e agonisë, e varrosi fshehtazi nën një ulli të oborrit të kuvendit, e pas dëshmisë së saj, janë gjetur eshtrat e tij më 16 shtator 1994. Eshtrat e tij pushojnë në muret e kishës françeskane të Zojës Nunciatë në Lezhë.

Dom Dedë Malaj

Lindi në Mali Kolaj (Velipojë), më 16 nëntor 1917. Pas Shkollës fillore dhe të mesme që kreu në Seminarin Papnor në Shkodër vazhdoi studimet në Itali. U shugurua meshtar në Castel Gandolfo (Romë), më 20 dhjetor 1942. U kthye në Shqipërinë Ipeshkvninë e Shkodrës për të shërbyer në zonën e Dajçit të Bregut të Bunës. Pasi dërgoi jashtë shtetit listën e meshtarëve të pushkatuar, u arrestua dhe u dënua me vdekje In odium fidei – Vox Populi {Prej urrejtjes ndaj fesë – është zëri i popullit}. Përballë gjyqit rinovoi me guxim shpalljen e tij të fesë katolike dhe paditi padrejtësitë e regjimit komunist. U pushkatua më 12 maj 1959, në moshën 42-vjeçare. U arrestua kryesisht për arsye politike, vdiq duke kundërshtuar komunizmin me kurajë.

Dom Ejll Deda

Lindi në Shkodër, më 22 shkurt 1917. Studimet e para i kreu tek françeskanët, pastaj kaloi në Seminarin Papnor të Shkodrës, ku studioi edhe teologjinë. U shugurua meshtar më 24 shkurt 1943 në kishën e jezuitëve (Shkodër), ku kremtoi edhe Meshën e Parë të nesërmen, më 25 shkurt. Qe famullitar i Bushatit (Shkodër). U arrestua më 12 nëntor 1947 dhe u dënua me dhjetë vjet burg. Vdiq në burg më 12 maj 1948. “In odium fidei”. Ishte i përshpirtshëm dhe i zellshëm, një meshtar shembullor. Shumë i çmuar dhe i dashur nga populli, si dhe shumë i përzemërt.

Dom Anton Zogaj

Ai lindi në Kthellë të Mirditës. Mbaroi seminarin Papnor në Shkodër (1920). U diplomua për filozofi në Trauning (Austri). U shugurua meshtar më 26.4.1932. Për meritat e tij, e emëruan Sekretar pranë Ipeshkvisë së Durrësit. Shërbeu me një devocion dhe besnikëri të veçantë. Në vitin 1945, komunistët e arrestuan dhe e torturuan mizorisht. Dom Antonin e pushkatuan më 31.12.1946, në Porto Romano. Eshtrat e tij pushojnë në muret e kishës françeskane të Zojës Nunciatë në Lezhë.

Atë Bernardin Palaj

Lindi në Shllak, famulli e Ipeshkvnisë së Shkodrës, më 2 tetor 1894. Teologjinë e kreu në Insbrug (Austri). Qe një ndër mitologët më të mirë shqiptarë, profesor dhe shkrimtar. Pati një kulturë të gjerë letrare dhe muzikore, qe pianist i shquar. Në vitin 1946 u arrestua dhe vdiq ndër tortura “in odium fidei” më 2 dhjetor të këtij viti, nga tetanozi, i lidhur me tela të ndryshkur, para se të “gjykohej” në Shkodër më 8 dhjetor 1947.

Atë Ciprian Nika

Të gjithë ata që e kanë njohur dëshmojnë se ishte një Shenjt i vërtetë. Feja e tij e thellë, kultura dhe dashuria e tij për atdheun ngjallën urrejtjen e kundërshtarëve. Lindi në Shkodër, më 19 korrik 1900. Mbeti jetim kur ishte pesë vjeç. Shkollën fillore dhe të mesme e kreu në Shkodër, kurse studimet teologjike në Austri. U shugurua meshtar në Romë më 25 korrik 1924. Qe provincial i françeskanëve në periudhën 1938-1941, u bë guardian i Kuvendit të Shkodrës nga viti 1944 deri në vdekje. U arrestua me akuzën se kishte marrë pjesë në vendosjen e armëve në altarin e kishës; gënjeshtër e shpikur për të shkatërruar Kuvendin. Fjalët e tij të fundit të shkruara në proces verbalin gjyqësor qenë: ”Rroftë Krishti Mbret; I falim armiqtë tanë. Shqipëria nuk vdes me ne.” U pushkatua më 11 mars 1948, jashtë mureve të varrezave. I fortë, i devotshëm dhe i zellshëm, një martir i vërtetë i fesë dhe i atdheut.

Atë Daniel Dajani

Lindi në Blinisht (Zadrimë), më 2 dhjetor 1906. Pas shkollës fillore, që e kreu në fshatin e tij, shkoi në Torino ku ndoqi kurset e filozofisë dhe teologjisë. U shugurua meshtar në Kieti (Itali), më 15 korrik 1938. U rikthye në Shqipëri dhe dha mësimin e latinishtes në Seminar. Meshtar shumë i ndershëm dhe i zellshëm, i kujdesshëm për të mirën e shpirtrave, e mbi të gjitha për formimin e seminaristëve, me të cilët ishte shumë i afërt dhe i gatshëm, ishte si një vëlla: shumë i dashur nga të gjithë. U arrestua bashkë me Atë Faustin, u dënua me vdekje dhe u pushkatua më 4 mars 1946. U torturua në mënyrë çnjerëzore. Fjalët e tij të fundit qenë: “Rroftë Krishti Mbret, i fal armiqtë e mi”.

Dom Dedë Maçaj

Lindi në Mal të Jushit (Shkodër), më 5 shkurt 1920. Mësimet e para i mori në Seminarin Papnor të Shkodrës, kurse teologjinë në Romë. U shugurua meshtar më 19 mars 1944 dhe u emërua zëvendësfamullitar i Shkodrës. U mor në shërbimin ushtarak, pastaj u arrestua si spiun i Vatikanit më 10 mars 1947. Pas torturave të papërshkrueshme u pushkatua më 28 mars 1947, në Përmet, përpara ushtarëve të regjimentit dhe i shkelur prej fanatikëve, derisa dha shpirt nën këmbët e tyre të përgjakura. Qe një meshtar i përkryer, i zellshëm dhe i përvuajtur, i dashur, i gatshëm. Gjatë shërbimit ushtarak, edhe pse i disiplinuar, për shkak të fesë së tij katolike qe gjithmonë i përçmuar dhe i keqtrajtuar, siç kanë dëshmuar shokët e tij. Është një martir. Faket e mësipërme dëshmohen nga bashkëushtari i tij Nikollë Koleci nga Delbnishti (Kurbin), .

Dom Dedë Plani

Lindi në Shkodër, më 21janar 1891. Shkollën e mesme e kreu në Seminarin Papnor të Shkodrës, kurse teologjinë e kreu në Insbruk (Austri). U shugurua meshtar në Primiz (Austri), më 3 gusht 1919. Pas shugurimit të tij meshtarak, ai u rikthye në atdhe. Ishte i mirë dhe i zellshëm. U arrestua në vitin1947 në Rrenc (Shkodër). Vdiq ndër tortura para se të gjykohej, më 30 prill 1948 ”In odium fidei”.

Fran Miraka

Lindi në Iballë (Pukë), më 13 gusht 1916. Qe blegtor dhe shitës. Kishte të afërm e kushërinj jashtë shtetit e për këtë arsye u fut në lojën e Sigurimit. Gjykata e Tiranës, e kryesuar nga gjykatësi Frederik Nosi e me Prokuror Nezat Haznedarin, aprovoi dënimin e shpallur në Shkodër më 22 shkurt 1946. U pushkatua në moshën 29 vjeçare, në shtator të vitit 1946.

Imzot Frano Gjini

Lindi në Shkodër, më 20 shkurt 1886. Studimet filozofike i kreu në Seminarin Papnor të Shkodrës, kurse ato teologjike në Kongregatën Propaganda Fide (Romë). U shugurua meshtar në Durrës më 28 qershor 1908, ku zhvilloi edhe shërbimin e tij meshtarak. Në vitin 1930 u shugurua Ipeshkëv i Durrësit e më pas u emërua titullar i Abacisë Nullius të Oroshit. Në vitin 1945 qe zëvendës-delegat Apostolik i Shqipërisë. U arrestua më 15 nëntor 1946 me akuzat “spiun i Vatikanit“ dhe “bashkëpunëtor i anglezëve e organizator i kryengritjes së Postribës”. I paluhatshëm, në asnjë mënyrë nuk pranoi, edhe ndër tortura, që të formonte një kishë katolike kombëtare, të ndarë nga Selia e Shejtë. Kjo qe arsyeja e vërtetë e pushkatimit. Pas shumë vuajtjesh e torturash u dënua me pushkatim. Fjalët e tij të fundit qenë: “Rroftë Krishti Mbret. Shqipëria do të jetojë edhe nëse ne vdesim”. U pushkatua më 11 mars 1948.

Atë Gasper Suma

Lindi në Shkodër, më 23 mars 1897. Shkollën e mesme e kreu tek françeskanët, kurse teologjinë në Insbruk (Austri). U shugurua meshtar më 31 korrik 1921 dhe shërbeu gjithmonë në zonat më të vështira malore: Theth, Brigje të Hotit dhe Gomsiqe. Pati një shpirt të madh sakrifice. U arrestua dhe vdiq në burgun e Shkodrës më 14 prill 1950. Eshtrat e tij pushojnë në Kishën Françeskane të Shkodrës.”In odium fidei”.

Atë Giovanni Fausti

Lindi në Broco të Breshës (Itali), më 19 tetor 1899. Studioi në qytetin e vet, në seminrin Ipeshkvnor. U shugurua meshtar në Romë, më 9 Korrik 1922. Pas hyrjes në Shqërinë e Jezusit, e dërguan në Shqipëri. Njeri me kulturë të gjerë dhe përshpirtëri shumë të madhe. Në Shqipëri kishte detyrën e zëvendës-provincialit. Ndërsa po e shpinin drejt pushkatimit, forconte veten dhe të tjerët me fjalët e psalmistit: “Të shkojmë në shtëpinë e Zotit”. U arrestua më 31 dhjetor 1945, së bashku me Atë Dajanin, dhe pastaj u pushkatua me 4 mars 1946. Fjalët e tij të fundit qenë: “Rroftë Krishti mbret, i fal persekutuesit”. Martir i vërtetë i fesë.

Vëlla Gjon Pantalia

Lindi në Prizren (Kosovë), i afërm me Nënë Terezën, më 2 qershor 1887. Erdhi në Shqipëri në vitin 1906 në shkollën e jezuitëve, si vëlla në Shoqërinë e Jezusit. Ka studiuar edhe në Soresina (Itali). Të gjithë ata që e kanë njohur flasin me respekt të madh për të. Ai ka pasur një rol të madh në jetën e kolegjit. Ishte një njeri i mençur dhe i zellshëm. Pas arretimit të Etërve Fausti dhe Dajani, qe udhëheqësi shpirtëror i Kongregatës. U arrestua në vitin 1946 në Kuvendin e Fretërve (Gjuhadol) dhe pësoi tortura të tmerrshme . Vdiq ndër tortura, më 31 tetor 1947. Nga ata që e njohën ndër tortura, mbahet si martir i vërtetë.

Atë Gjon Shllaku

Lindi në Shkodër më 27 korrik 1907. Shkollën fillore dhe të mesme e kreu tek françeskanët (Shkodër). Vazhdoi studimet në Universitetin e Lovanios në Belgjikë, më pas në Holandë për filozofi e teologji dhe në Sorbonë të Parisit, ku mori doktoratin. U shugurua meshtar më 15 mars 1931. Kur u kthye në Shqipëri, qe profesor i filozofisë në liceun “Illyricum” të françeskanëve (Shkodër). U arrestua para studentëve të tij gjatë orës së mësimit, në janar të vitit 1945, dhe u pushkatua më 4 mars 1946 së bashku me Atë Faustin, Atë Dajanin, me seminaristin Mark Çuni, dhe me laikë të tjerë. Fjalët e tij të fundit, siç del nga aktet, qenë:”Rroftë Krishti Mret! I falim armiqtë tanë!” Shprehje e heronjëve të kohës moderne, shprehja e forcës së dhënë nga Shpirti Shejt, si në të gjitha kohët heroike. Martir i vërtetë.

Dom Jak Bushati

Lindi në Shkodër më 7 gusht 1890. Studimet i kreu në Seminarin Papnor të Shkodrës, sikurse edhe filozofinë dhe teologjinë. U shugurua meshtar më 29 maj 1915. Shërbeu në zonën e Mirditës për 26 vjet. Qe i respektuar nga të gjithë. I devotshëm dhe i zellshëm. U arrestua në vitin 1949. Pas shmë torturash, vdiq në burg më 12 shtator 1949, para se të gjykohej. Është një martir i vërtetë me një jetë të shejtë.

Dom Jozef Marxen

Lindi në Worringen (Gjermani) më 2 gusht 1906. Erdhi në Shqipëri si misionar dhe punoi në zonën e vështirë të Kthellës (Mirditë). Dha një kontribut të madh për rritjen e fesë, por edhe në fushën mësimdhënies dhe kulturës. Në periudhën 1938-1941, u angazhua në famullinë e Perlatit (Mirditë). Gëzonte një dashuri të madhe populli. Tregojnë se ishte shumë i lidhur me kishën dhe me popullin. Në 1943, u transferua në Jubë të Durrësit. Në 1946, u arrestua e u dënua me dy vjet burg, sepse ishte prift dhe sepse ishte gjerman. U mbyll në burgun e Tiranës e nga aty u zhduk. Të dënuarit e tjerë tregojnë se një natë e nxorën nga burgu dhe pastaj nuk e morën vesh kurrë se ku e kishin dërguar. Thuhet se e kanë pushkatuar në një pyll më 17 nëntor 1946, në moshën 40 vjeçare. Para se ta merrnin, Dom Jozefi i kishte thënë një shokut të burgut këto fjalë: “Jam i kënaqur që po vdes, sepse shqiptarët do të më kujtojnë gjithmonë si prift i fesë së Krishtit!”. Vdiq “in odium fidei catholichae et Germaniae”.

Imzot Jul Bonati

Lindi në Shkodër më 24 maj 1874. Studioi në Firence. Njihte disa gjuhë të huaja. U shugurua meshtar në Goricia (Itali), më 8 prill 1906. Ka përkthyer në gjuhën italiane librin e famshëm të Atë Gjergj Fishtës, “Lahuta e Malcisë”. I ka dhënë një ndihmë të madhe Kishës sonë në Shqipëri, veçanërisht në Durrës dhe Vlorë. Ishte një meshtar i përvuajtur dhe i mençur, plot me zell e devocion. U arrestua në Durrës më 25 mars 1946 dhe u torturua çnjerëzisht. Për ta torturuar edhe më shumë, e futën në çmendinën e Durrësit, ku vdiq më 5 nëntor 1951. Pësoi një martirizim të ngadalshëm.

Atë Karl Serreqi

Lindi në Shkodër më 2 shkurt 1911. Shkollën e mesme e kreu tek françeskanët, kurse teologjinë në Bresha (Itali). U shugurua meshtar dhe Meshën e Parë e kremtoi më 29 qershor 1936. Qe famullitar në zonat më të vështira të maleve (Nikaj-Mertur). U arrestua më 9 tetor 1946, sepse organet e sigurimit donin të dinin se çfarë u kishte thënë në rrëfim një person politik. Ai, besnik ndaj fshehtësisë së rrëfimit nuk tha asgjë gjatë torturave. U dënua me vdekje më 18 janar 1947, por pas pak ditësh dënimi iu ndërrua në burgim të përjetshëm. Vdiq në burgun e Burrelit më 5 prill 1954. Është martir i fshehtësisë së rrëfimit.

Don Lazër Shantoja

Lindi në Shkodër më 2 shtator 1892. Studio nga fillorja deri në lice në Seminarin Papnor të Shkodrës dhe vazhdoi studimet e teologjisë në Insbruk (Austri). U shugurua meshtar më 29 maj 1915. Qe sekretar i Arqipeshkvit Imzot Lazer Mjeda. Qe orator i aftë, shumë i përgatitur në shkencat njërzore e hyjnore. U arrestua në vitin 1945 në Sheldi. Tmerrësisht dhe barbarisht i torturuar, u pushkatua në Tiranë më 2 shkurt 1946.

Dom Lekë (Aleksander) Sirdani

Lindi në Gurëz (Milot) me 1 Mars 1891. Studimet e para i kreu në Seminarin Papnor të Shkodrës, kurse teologjinë në Insbruk (Austri). U shugurua meshtar më 24 prill 1916. Shërbeu në famullitë e maleve të Arqipeshkvnisë së Shkodrës. Ishte shumë i zellshëm dhe i devotshëm. E torturuan në mënyrë barbare e të pashpirtëshme, krejt çnjerëzore. E bënë të sillej përreth famullisë së tij në zonën e Koplikut, pastaj e futën të gjallë në një pus ujërash të zeza dhe e lanë aty derisa vdiq më 26 dhjetor 1948, bashkë me Dom Pjetër Çunin. Martirizimi i tij është i dukshëm, i torturuar dhe i mbytur nga policia e Koplikut, në veri të qytetit të Shkodrës.

Dom Luigj Prenushi

Lindi në Shkodër më 24 janar 1896. Prej shkollës fillore deri në meshtari, studioi në seminare të ndryshme të Piemontes, në kolegjet Skarnafacio dhe Sarvano. U shugurua meshtar më 12 mars 1921. U kthye në Shqipëri dhe filloi të shërbejë në Ipeshkvninë e Sapës. U akuzua se ishte spiun i Vatikanit, u arrestua në Naraç më 8 dhjetor 1946 dhe për të terrorizuar popullin, u pushkatua në Shelqet në praninë e fshatarëve, më 24 janar 1947. Vdiq” in odium fidei”.

Marie Tuci

Lindi në Ndërfushaz (Rrëshen-Mirditë), më 12 mars 1928. Shkollën e mesme e kreu tek Motrat Stigmatine në Shkodër. U arrestua në Ndërfushaz më 10 gusht 1949. Ishte shumë e bukur, e urtë dhe me fe të madhe. Kriminelët, hetuesit komunistë, u munduan në të gjitha mënyrat të kënaqnin instiktet e veta, por pasi vajza rezistoi heroikisht vendosën ta torturojnë në mënyrë barbare, siç deklarojnë shoqet te saj të burgosura me të. “Të gjitha torturat e mundura i ushtruan mbi trupin tim”, citohet në një letër, e cila nuk arriti ta nxirrte nga burgu. Ndër të tjera e futën në një thes, të zhveshur, bashkë me një mace. Vdiq në spitalin e burgut në Shkodër, më 24 shtator 1950.

Dom Marin Shkurti

Lindi në Samrish, më 1 tetor 1933. Shkollën fillore e kreu në Dajç të Bregut të Bunës, kurse studimet e tjera tek famullitari Pjetër Gruda. U shugurua meshtar në katedralen e Shkodrës nga Imzot Çoba më 8 dhjetor 1961. Pas mbylljes së kishave, ka zhvilluar fshehtazi shërbesën e tij në fshatra e qytete. Kërkoi strehim në ish-Jugosllavi, por u tradhtua dhe iu dorëzua komunistëve shqiptarë, të cilët e pushkatuan në vitin 1969.

Mark Çuni

Lindi në Rranxa të Bushatit (Shkodër), më 30 shtator 1919. Pas shkollës fillore në fshatin e vet, kreu të Mesmen në Shkodër dhe tetëmbëdhjetëvjeçar vazhdoi studimet në Seminarin Papnor në Shkodër. Qe themelues klandestin i organizatës politike “Bashkimi Shqiptar” brenda seminarit. Eprorët e tij nuk e dinin një gjë të tillë. Kur organizata u zbulua nga qeveria, u arrestuan Atë Fausti e Atë Dajani, si eprorë dhe përgjegjës të Seminarit. Jemi të sigurt se eprorët nuk e kanë ditur as dëshminë ë seminaristit Çuni. Pastaj seminaristi u arrestua dhe u dënua me vdekje, bashkë me eprorët e vet. U pushkatua më 4 mars 1946 dhe vdiq duke shqiptuar fjalët:”Rroft Krishti mbret dhe i fal armiqtë”. Njeri i zellshëm dhe guximtar.

Dom Mark Xhani

Lindi në Shën Gjergj (Pulaj) më 10 korrik 1909. Shkollën e mesme e kreu në Seminarin Papnor të Shkodrës, kurse teologjinë në Bobio (Itali), ku edhe u shugurua meshtar më 21 mars 1942. Ishte i butë dhe i zellshëm. U arrestua në vitin 1947 në Kalivare, vdiq në Shën Pal të Mirditës, pas torturave çnjerzore, në vitin 1947. Kur e torturonin, kërkonin prej tij të mallkonte Jezu Krishtin dhe ai përgjigjej duke bërtitur: ”Rroftë Jezu Krishti”, e kjo për disa ditë rresht, derisa vdiq ndër këto tortura shtazarake. Këto fjalë të Dom Mark Xhanit janë treguar me lot në sy, nga një person që quhej Nikollë Perndoj nga Kthella e Oroshit, që kishte qënë në të njëjtën qeli me të, të ndarë dysh me hekura. Nëpërmes të çarave shihej e dëgjohej gjithcka. Pastaj trupi i tij u hodh në një kanal dhe u shqye nga qentë. Është martir i vërtetë i fesë katolike.

Atë Mati Prenushi

Lindi në Shkodër më 2 tetor 1881. Shkollën fillore, të mesmen dhe liceun i kreu në shkollën françeskane në Shkodër. Studimet e filozofisë i kreu në Grac (Austri).Ushuguruameshtarmë25mars1904.Moripjesë nëkryengritjen e Malësisë së Madhe dhe në Deçiq në vitin 1911. Ishte me Dedë Gjon Lulin dhe të tjerët kur u ngrit flamuri. Qe provincial i Françeskanëve nga viti 1943 deri në vdekje. Dha jetën dhe lirinë e vet në flijim për të mirën e Shqipërisë. Qe dënuar me vdekje nga serbët, por pas një ndërhyrjeje të mbretit Nikolla të Malit të Zi, u fal. Në 15 nëntor 1946, u arrestua me akuzën e rreme se kishte fshehur armë nën altarin e Shën Antonit në kishën françeskane të Shkodrës, dhe për këtë arsye u pushkatua nga komunistët. Fjalët e tij të fundit janë dëshmi feje: “Rroftë Krishti Mbret! Rroftë Papa! Po vdesim në krye të detyrës, të pafajshëm. Rrofshin Katolikët! Rroftë Shqipnia! Ua bajmë hallall gjyqit dhe atyne që do të shtijnë mbi trupat tonë të pafajshëm.” (Dosja 1302/2A. Arkivi M. M. Tiranë). U pushkatua më 11 mars 1948, te varrezat e Rrmajit. Martir i vërtetë i fesë.

Dom Mikel Beltoja

Lindi në Beltojë më 9 maj 1935. Shkollën fillore e kreu në fshatin e tij dhe disa klasë të shkollës së mesme. U përgatit nga ana filozofike e teologjike privatisht nga Ipeshkvi i Shkodrës, Imzot Ernest Çoba. U shugurua meshtar me 8 dhjetor1961. Qe shumë i zellshëm në shërbimine tij meshtarak. Pas mbylljes së kishave në mars 1967, pa marrë parasysh ndalesat e rregjimit, shkonte nga një fshat në tjetrin dhe në mënyrë të veçantë në male, duke ofruar me guxim shërbimin e tij fetar. U arrestua në Beltojë më 19 prill 1973. Qe torturuar në mënyr shtazarake, por rezistoi me vendosmëri dhe heroizëm. Fillimisht u dënua shtatë vjet, por përpara gjyqit foli kundër regjimit dhe kundër diktatorit Enver Hoxha, duke u dënuar menjëherë me pushkatim. Për ta bërë të heshte në sallën e gjyqit, pasi që e kishin zhveshur, e therën disa herë me zumça. Jeta e tij qe një dëshmi heroike, dhe për këtë nderohet nga ata që e kanë njohur. U pushkatua më 10 shkurt 1974.

Gjelosh Lulashi

Lindi në Shosh (Dukagjin), më 2 shtator 1925. Qe besimtar i thjeshtë, laik. Qe oficer ushtarak në spitalin e Shkodrës. Qe anëtar i organizatës politike “Bashkimi Shqiptar”. U arrestua dhe u pushkatua më 4 mars 1946, së bashku me Atë Gjon Shllakun O. F. M., Atë Giovanni Faustin S.I., Atë Daniel Dajanin S.I.. I tërhequr dhe i forcuar prej shokëve të tij heroikë, me të cilët vuajti dhe vdiq, tha këto fjalë të fundit: Thuani babait tim:…. “. Edhe ai eshtë martir i fesë.

Dom Ndoc Suma

Lindi në Nënshat më 31 korrik 1887. Studimet filozofike dhe teologjike i kreu në Seminarin Papnor të Shkodrës. Në Insbruk (Austri), bëri edhe dy vite të tjera studim. U shugurua meshtar më 21 shtator 1911 në Kapelën e Kolegjit Saverian. Meshën e Parë e kremtoi në Nënshat, më 24 shtator 1911. Shërbeu si famullitar në Kçirë, Koman, Naraç, Laç të Vaut të Dejës dhe në Pistull. Më 8 dhjetor 1946, u arrestua ndërsa kremtonte Meshën e Shenjtë. U akuzua rrejshëm, e pastaj u dënua me 30 vjet burg. Pas një paralize në vitin 1953 dhe pasi bëri 8 vite burg, u lirua më 27 nëntor 1954. U kthye në Pistull dhe banoi në një kantinë të qelës. Kremtonte Meshën fshetazi, si në një katakombe. Populli e donte në mënyrë të veçantë, sepse punonte me shumë përkushtim, edhe pse nuk kishte shëndet shumë të mirë. Njihej si një etnograf i madh. Kishte mbledhur shumë tregime mitologjike e tradita të vjetra shqiptare. Vdiq më 22 prill 1958.

Dom Ndre Zadeja

Lindi në Shkodër më 3 nëntor 1892. Shkollë fillore dhe të mesme e kreu në Seminarin Papnor të Shkodrës, kurse teologjinë në Insbruk (Austri). U shugurua meshtar në Shkodër më 24 prill 1916. Një ndër Meshët e para të tij e kremtoi në Shenjtëroren e Zojës së Këshillit të Mirë (rrëzë kalasë së Shkodrës). Shkroi shumë drama. Qe sekretar i Arqipeshkvit të Shkodrës dhe pastaj famullitar në famulli të ndryshme të Dioqezës. Qe i pari meshtar që u pushkatua në Shkodër nga komunistët, të cilët sapo kishin ardhur në pushtet, më 25 mars 1945. Akuza ishte se kishte ndihmuar në mënyrë të fshehtë meshtarin Dom Lazër Shantoja. Qe shkrimtar i mirë, meshtar i ndershëm dhe i zellshëm – sidomos në mësimin e katekizmit, bari i butë e i devotshëm i famullive që i qenë besuar.

Papa Josif Papamihali

Lindi në Elbasan më 23 shtator 1912. Studimet i kreu në seminarin”Benedikti XI”, në Grotaferrata (Itali). Dha një shembull shumë të mirë. Studimet e filozofisë dhe të teologjisë i kreu në seminarin e Shën Atanazit (Romë). U shugurua në Romë, më 1 dhjetor 1935. Në Shqipëri erdhi në vitin 1936 dhe u caktua famullitar i kishës së Shën Pjetrit në Elbasan. U arrestua në vitin 1945, sepse ishte prift katolik dhe u dërgua me punë të detyruar në Korçë. I rraskapitur nga lodhja, meqë nuk mund të punonte më, e varrosën të gjallë në kënetën e Maliqit, më 26 tetor 1948. Qe meshtar shumë i mirë i butë dhe i zellshëm, me një ëmbëlsi dhe afërsi të jashtëzakonshme. Një martir i vërtetë i fesë.

Dom Pjetër Çuni

Lindi në Shkodër më 9 korrik 1914. Shkollën fillore dhe liceun e kreu në Seminarin Papnor të Shkodrës, kurse teologjinë në Kongregatën Propaganda Fide (Romë). U shugurua meshtar më 23 mars 1940. Shërbeu në famullitë e maleve përreth Shkodrës: Reç e Lohe (Shkrel). U arrestua pa motive në Rrjoll më 27 korrik 1948. Egërsisht i torturuar, qe futur për së gjalli në një pus ujërash të zeza, ku vdiq më 26 dhjetor 1948. Qe një meshtar shembullor, i zellshëm dhe bari i mirë për grigjën e vet. Qe i paluhatshëm kundër diktaturës. Është një martir i vërtetë, bashkë me Dom Aleksandër Sirdanin.

Qerim Sadiku

Lindi në Vuthaj (Shkodër) më 12 shkurt 1919. Qe anëtar i organizatës politike “Bashkimi Shqiptar” dhe ishte ndërlidhës mes malit e qytetit. U arrestua me 3 dhjetor 1945 dhe i duroi torturat me një guxim të madh. U dënua me vdekje dhe u pushkatua, në grup, bashkë me Atë Gjon Shllakun, Atë Gjovanni Faustin dhe Atë Danjel Dajanin me 4 mars 1946. Fjalët e tij të fundit qenë: “I fal ata që kanë mundur të më bëjnë keq. I fal ata që më kanë dënuar me vdekje, e ata që do të më pushkatojnë”. Fjalët e tij të fundit provojnë martirizimin e tij.

Dom Shtjefen Kurti

Lindi në qytetin e Ferizajt (Kosovë) më 25 dhjetor 1898. U shugurua meshtar në Romë (Itali) më 13 maj 1921. Erdhi në Shqipëri më 6 janar 1930, bashkë me Dom Luigj Gashin e Dom Gjon Bisakun. U arrestua në Tiranë më 28 tetor 1946 dhe u dënua me njëzet vjet burg. Pas mbylljes së kishave u dërgua në Gurëz (Milot). U arrestua përsëri më 11 qershor 1970 dhe u dënua me vdekje “in odium fidei”. U pushkatua më 20 tetor 1971.


Current track

Title

Artist