Shenjti i ditës: 5 Maj – Shën Ilari, ipeshkëv i Arlesit (400 – 449)

Written by on May 4, 2017

Shenjti i ditës: 5 Maj – Shën Ilari, ipeshkëv i Arlesit (400 – 449)

 

Të krishterë e paganë, një shekull pas ediktit të Milanos, kishin vënë në jetë një tolerancë reciproke, e prishur nganjëherë nga ndonjë breshëri gurësh kundër dritareve të tempujve përkatës, për të cilën na flet në mënyrë mjaft të gjallë Shën Agustini në Rrëfimet e tij. Kjo ndodhte mbi të gjitha në Afrikën pro-konsullore. Në Gali, gjërat shkonin më mirë. Lorenasi Onorati mundi ta përqafonte paqësisht besimin e krishterë pa i ndërprerë miqësitë e vjetra me paganët. Dhe pas një përvoje të shkurtër me kuvendin në Lindje, ai e mendoi mirë ngulitjen e monakizmit në ishullin e vogël mesdhetar të Lerinsit, që do të bëhet një qendër e rëndësishme për jetën rregulltare e shpirtërore për të gjithë Perëndimin, një farkë e vërtetë shenjtërish, siç mund dallohet duke shfletuar këto faqe. Duke filluar nga shenjti i sotëm, “i joshur” gjatë një vizite në manastir për të takuar xhaxhain, Onoratin.

Ilari, i lindur në Galinë belge (Lorena e tanishme) nga një familje fisnike me origjinë greke, kishte studiuar filozofi e retorikë, duke marrë më pas një vend të rëndësishëm në administratën e perandorisë. “I bekuar shteti në të cilin filozofët qeverisin dhe mbretërit filozofojnë”, thotë Platoni. Ilari, filozof pagan, ishte një shpirt i hapur dhe e la veten të rrëmbehej nga mënyra revolucionare e jetës së murgjve. U pagëzua, ia la pasurinë të vëllait dhe u bë murg në kuvendin e xhaxhait, Onoratit. E kur abati u bë ipeshkëv i Arlesit, Ilari e ndoqi si sekretar. Kur vdiq Onorati, Ilari e pasoi në selinë ipeshkvnore, kundër vullnetit të vet. Në të vërtetë ishte përpjekur t’i shmangej detyrës së lartë duke ikur natën për t’u kthyer në kuvendin e Lerinsit.

Qe një ipeshkëv i shkëlqyer, duke arritur që t’i harmonizonte kërkesat e një administrate të shëndoshë të dioqezës – si ish-funksionar i mirë – me idealet e jetës rregulltare, sipas shpirtit të përvojës së përtërirë të kuvendit. Në fakt e bindi klerin të jetonte në bashkësi; ndërtoi kisha e kuvende të reja. Mblodhi një Koncil në qytetin Vjenë të Francës dhe shkarkoi ipeshkvin e Besansonit, Celidonin, që iu drejtua papa Leonit të Madh. Ilari u qortua nga papa për zellin e tepërt, dhe ai e pranoi me përvujtëri uljen e vet në detyrë nga metropolit në ipeshkëv të thjeshtë. Varri i tij nderohet edhe tani në Kishën e Shën Onoratit.


Current track

Title

Artist