Shenjti i ditës – 4 shkurt – Shën Andrea Korsini, ipeshkëv (1302 – 1373)
Written by Radio Maria on February 3, 2017
Shenjti i ditës – 4 shkurt – Shën Andrea Korsini, ipeshkëv (1302 – 1373)
Andrea ishte me prejardhje nga familja fisnike e Korsinëve. Para se të vishte zhgunin karmelitan në Firencen e shkretuar nga murtaja, ai kishte kaluar një rini të shkujdesur të dhënë pas festave, mes kotësive dhe shoqërive të këqija. Në vitin 1318 ndodhi kthimi. Gjashtëmbëdhjetëvjeçari Andrea i këputi lidhjet me të kaluarën dhe përqafoi jetën e rreptë të karmelitanëve, duke bërë pendesa të ashpra. Ruhet ende grathorja që e vishte që në ato vite, e mbushur me thumba hekuri të ngulur, të cilën e mbajti gjithnjë me vete edhe në Paris, ku u dërgua të përfundonte studimet teologjike. U kthye nga ai universitet i famshëm i kalitur nga ana kulturore dhe i qëndrueshëm në thirrjen e tij.
Thuhet se e ëma, kur e mbante në kraharor, kishte ëndërruar duke lindur një fëmijë me tipare ujku që u shndërrua menjëherë në qengj. Shndërrimi u realizua: qengji u bë bari shpirtrash, pas zgjedhjes së tij si epror i kuvendit, e pastaj në selinë ipeshkvnore të Fiesoles. Për t’iu shmangur këtij emërimi, për të cilin ndihej i padenjë, iku për t’u fshehur në një vend të vetmuar mes pyjesh. Por, u zbulua nga një djalosh dhe u dërgua në qytet e këtu iu desh të pranonte detyrën baritore. Ishte një zgjedhje e kënaqshme, pasi u tregua një atë i mirë për të varfrit dhe një mbartës paqeje mes bashkëqytetarëve grindavecë e të ndarë gjithnjë në grupe kundërshtare.
Duke parë përfundimet e veprës së tij paqësore, papa Urbani V e dërgoi në Bolonjë të sillte paqe mes atyre qytetarëve që e shpërblyen me burgosje. Nuk iu largua kësaj detyre të vështirë, megjithëse pëlqente përqendrimin shpirtëror, lutjen e zellshme dhe pendesën e ashpër, të cilës ia nënshtroi vazhdimisht trupin e tij, gati si të donte ta ndëshkonte për veprimet rinore. Vdiq më 6 janar. Kulti i tij, megjithë popullaritetin që ka edhe tani në Toskanë, është i kufizuar në kalendarët lokalë.