Shenjti i ditës: 4 Mars – Shën Kazimiri, princ polak (1458 – 1483)
Written by Radio Maria on March 3, 2017
Shenjti i ditës: 4 Mars – Shën Kazimiri, princ polak (1458 – 1483)
Elizabeta e Habsburgut, gruaja e Kazimirit IV, mbretit të Polonisë dhe dukës së madh të Lituanisë, thirret me të drejtë «nëna e mbretit». Prej trembëdhjetë fëmijëve, katër morën kurorën mbretërore ndërsa djali i tretë Kazimiri, mori atë më të çmueshmen, kurorën shenjtërve. Në moshën trembëdhjetë vjeçare, princi mund të kishte marrë kurorën e mbretit të Hungarisë që u largua, Matia Korvinit. Por për të mos i dalë para drejtësisë hoqi dorë, për këtë i ati i inatosur, e mbylli për tre muaj në burg.
Kazimiri i kundërshtoi ambiciet e të atit, edhe kur ai dëshironte ta martonte me vajzën e Frederikut III të Gjermanisë. Kazimiri ishte një djalosh me bukuri të rrallë e virtyte të shëndosha. Ndoqi idealin e vet për një pastërti të përsosur, për përvujtëri e dashuri pa lëshime. Kur i ati ishte i zënë në fushën ushtarake kundër Rusisë për të zgjeruar kufinjtë e Polonisë nga Balltiku në Detin e Zi, ia besoi atij qeverisjen e mbretërisë, ai diti ta zhvillonte me inteligjencë detyrën që iu besua, pa harruar se ishte në shërbim të më të dobtëve. Nuk ra në rrjetë nga joshjet e fuqisë apo nga joshjet e oborrit mbretëror.
Ishte i devotshëm ndaj Virgjërës, nuk e linte lutjen e përditshme. Në një shkrim kushtuar Virgjërës lexohet kështu: «Mos kalo një ditë pa e nderuar Marinë …»
Pasi u sëmur nga tuberkulozi, vdiq në moshë të re në Lituani, ku në rrjedhën e shekujve do të konsiderohet si princi pajtor. U varros në katedralen e Vilnius. Njëzet vite më vonë, papa Leoni X e shkroi në tabelën e shenjtërve. Në vitin 1953, kur sovjetikët e shndërruan katedralen e vjetër në një muze, relikët e shenjtit u transferuan në kishën e famullisë së shën Pjetrit e Palit, e megjithatë shtegtimet në varrin e tij nuk u zvogëluan. Mrekullitë që ndodhën në varrin e tij janë të shumta, ashtu siç janë të shumta kishat e kushtuara shën Kazimirit, jo vetëm në Lituani e Poloni por edhe në Amerikë, në vitin 1758 në Venecuelë u themelua edhe qyteti i shën Kazimirit.