Shenjti i ditës: 4 korrik – Shën Elizabeta ose Izabela, mbretëreshë e Portugalisë (1271 – 1336)
Written by Radio Maria on June 30, 2017
4 Korrik – Shenjti i ditës: Shën Elizabeta ose Izabela, mbretëreshë e Portugalisë (1271 – 1336)
Vajza e mbretit të Aragonës, Pjetrit III, Izabela (ky është emri i preferuar në onomastikë), nuse dymbëdhjetë vjeçare e Dionigit të Portugalisë, mbret trim dhe bashkshort jo besnik, ka ditur ta gjejë rrugën e shenjtërisë mes luksit dhe intrigave të oborrit mbretëror, mes rivaliteteve në dashuri, gjelozive dhe shkeljes së kurorës, duke iu përgjigjur me falje zemërgjerë fyerjeve, me heshtjen e vuajtur pabesnikërive të shpeshta bashkshortore. Nga martesa e saj lindën dy fëmijë. Djali i parë Alfonsi, kur u bë i madh, përgatiti një revoltë kundër të atit. Elizabeta që kishte qëndruar mënjëanë, e ashpër dhe e përshpirtshme, e dhënë pas veprave të bamirësisë, nuk ngurroi të zbriste në fushë mes dy kundërshtarëve dhe arriti që të ulte armët. Por e akuzuar se kishte mbajtur anën e të birit Alfonsit, u dërgua në internim, në krahinën e Alenkuer dhe qëndroi derisa i shoqi pasi e kuptoi padrejtësinë e bërë së shoqes, e thirri sërish duke i shfaqur nderim e dashuri. Kjo vleu për ta afruar në fenë e krishterë dhe në një kthim të sinqertë, gjatë sëmundjes së rëndë që do ta qojë në vdekje në 1325, i ndihmuar me dashuri nga Elizabeta.
Pasi mbeti e vejë mbretëresha hoqi dorë nga kurora mbretërore dhe nga çdo pasuri, të cilat ua shpërndau të varfërve. Veshi veshjen e Tercierëve françeskan dhe e bëri këmbëzbathur shtegtimin në shenjtëroren e shën Jakobit të Kompostelës, u mbyll në kuvendin e klariseve të Koimbrës, që ajo vetë e kishte themeluar. Dhe për të mos gëzuar asnjë privilegj, mori kushtet solemne vetëm në afrim të vdekjes. Gjatë dhjetë viteve të mbylljes së vullnetshme doli vetëm njëherë nga kuvendi për të vënë paqë mes dy kundërshtarëve: të birit Alfonsit dhe dhëndrrit Ferdinandit të Kastilias, burri i së bijës Kostancës. Lufta në familje i shkaktoi dhimbjen e fundit të madhe. E goditur nga një temperaturë e fortë gjatë udhëtimit të lodhshëm të kthimit në kuvend, vdiq me 4 korrik në Estremoz. Trupi i saj u varros në Koimbra dhe shpejt në varrin e saj, qendër shtegtimesh, u vërtetuan mrekulli të shumta. Është kanonizuar në 1625.