Shenjti i ditës: 31 gusht – Shën Rajmond Nonnatus, rregulltar (1200 – 1240)

Written by on August 24, 2017

Shenjti i ditës: 31 gusht, Shën Rajmond i Palinduri rregulltar lypës (1200 – 1240) 

Nga një familje fisnike, jetim që në lindje (e quajtën I Palinduri, sepse u nxor nga trupi i së ëmës e cila vdiq në mundimet e lindjes), në moshën njëzet e katër vjeçare veshi zhgunin e bardhë të murgjve lypës, Urdhër i sapo formuar nga Shën Pjetër Nolasku për shpëtimin e skllevërve të rënë në duart e arapëve të Algjerisë dhe Marokut. E zhvilloi punën e tij misionare mbi të gjitha mes bashkëatdhetarëve të tij në Spanjë dhe kur e mbaroi gjithë pasurinë e tij, të trashëguar nga familja e pasur, për të blerë lirinë e skllevërve të krishterë, i mbetur pa asnjë alternativë tjetër, ofroi vetveten në këmbim të lirisë së një babai familje. Një gjest bujar, i lindur nga një dashuri e vërtetë, që i dha mundësi Rajmondit të gjendet gju më gju mes shumë të palumturve dhe t’u jepte atyre kurajo dhe të shpërndante thesarin e ngushëllimeve fetare.

Skllav mes skllevërve në Algjeri, i nënshtruar fatkeqësive të çdo lloji dhe keqtrajtimeve të vazhdueshme, nuk reshti së predikuari Ungjillin mes vetë myslimanëve të cilët për ta bërë të heshte, nuk ngurruan t’ia shponin buzët me një hekur të skuqur dhe t’ia mbyllnin me një kyç. Por marifeti mizor nuk e ndaloi që të jepte me shembullin e dashurisë vëllazërore një nxitje për qëndrueshmëri në fe. Bashkëvëllezërit e tij u kujdesën për ikjen e tij dhe Rajmondi mundi të hynte në Spanjë, ku u zgjodh drejtuesi i dytë i përgjithshëm i Urdhërit. Papa Gregori IX, duke e admirurar mirësinë e tij të madhe, e emëroi kardinal dhe e ftoi në Romë për ta pasur mes këshilltarëve të tij. Rajmondi e pranoi ftesën për dëgjesë dhe mori rrugën për Itali, por pak më pas e zunë ethe të forta që e detyruan të ndërpresë udhëtimin. Vdiq më 31 gusht në Kardona, afër Barcelonës, ku u varros. Varri i tij, në kishën e Shën Nikollës, u bë shpejt qendër shtegtimesh të përshpirtshme përpara se papa Aleksandri VII ta përfshinte në librin e shenjtërve, në vitin 1657, duke e shpallur në të njëjtën kohë mbrojtës të nënave që lindin dhe të mamive, pasi kishte qenë në mënyrë të pavetdijshme shkak i vdekjes së nënës së tij, tek po e sillte në jetë.

 


Current track

Title

Artist