Shenjti i ditës – 31 dhjetor – Shën Silvestri I, papë (+335)
Written by Radio Maria on December 29, 2016
Shenjti i ditës – 31 dhjetor – Shën Silvestri I, papë (+335)
I lindur në Romë në një periudhë vuajtjesh të mëdha për Kishën e persekutuar, u zgjodh papë në vitin 314, një vit pas ediktit të Milanos me të cilin Kostandini u lejonte lirinë e kultit të krishterëve, prandaj Silvestri mundi ta udhëhiqte më në fund Kishën në paqe. Pontifikati i tij i gjatë kaloi paralelisht me qeverisjen e Kostandinit, me emrin e të cilit lidhen shndërrime të thella si në perandori ashtu edhe në Kishë. Në modelin e perandorisë romake u formua një organizatë kishtare e përcaktuar të zgjasë në kohë. Vetë Kostandini që kishte mbajtur titullin e perandorit suprem, e konsideroi një të drejtë të tijën të kontrollonte edhe Kishën dhe ishte ai që mblodhi në vitin 314 Koncilin e parë ekumenik, në Nike, për të përballuar herezinë ariane. Papa u kufizua duke dërguar një përfaqsues të tij, ipeshkvin Ozion nga Kordova. Nikea, në Bitini, ishte selia verore e perandorit dhe kjo i jepte mundësinë për të drejtuar Koncilin duke filluar kështu një metodë ndërhyrje të fuqisë civile në çështjet kishtare. Por mes papës Silvestrit e Kostandinit pati gjithnjë një mirëkuptim të përkryer dhe kjo favorizoi edhe zhvillimin material të Kishës. Kostandini në cilësinë e pontifex maximus ndërtoi bazilikën e madhe në nder të shën Pjetrit në kodrën e Vatikanit, pasi kishte mbuluar me dhe varrezën pagane në të cilën ishte varrosur princi i apostujve. I dhuroi papës pallatin dhe tokën afër Lateranos, që për shumë shekuj do të bëhet selia e papëve. Silvestri u varros në varrezën e Priskilës në rrugën Salaria, por pjesa më e madhe e relikëve të tij ruhen në kishën e Shën Silvestrit në Kapite.