Shenjti i ditës: 30 Qershor – Martirët e parë romakë, martirë në Romë në vitin 64
Written by Radio Maria on June 29, 2017
Shenjti i ditës: 30 Qershor – Martirët e parë romakë, martirë në Romë në vitin 64
Gjatë perandorisë së Neronit, në Romë, përkrah bashkësisë hebraike që lulëzonte dhe që ishte e respektuar (Popea gruaja e Neronit, ishte hebreje), jetonte bashkësia e krishterë, e vogël dhe paqësore e udhëhequr nga princi i apostujve. Përse Neroni i persekutoi me shumë egërsi të krishterët? Historiani Kornel Taçito na e jep shpjegimin: «Meqenëse qarkullonin zëra se Romës i ishte vënë zjarri me dashje, Neroni i paraqiti si fajtor, duke i ndëshkuar me dënime shumë të rënda ata që, këmbëngulës në kundërstimin e tyre, quheshin nga vegjëlia të krishterë». Cilat ishin fajet e tyre e dimë mirë: mblidheshin natën e së shtunës për të kremtuar euharistinë, në të cilën flitet për korpin e gjakun e Krishtit të dhënë si ushqim besimtarëve.
Martirologu romak thotë: «Në Romë kremtohet lindja e shumë martirëve shenjtër të cilët nën perandorin Neronin u akuzuan pa të drejtë për zjarrin e qytetit dhe me urdhër të tij u vranë në mënyra të ndryshme mizore: disa u mbuluan me lëkura kafshësh të egra dhe iu hodhën qenëve që t’i bënin copash, të tjerë u kryqëzuan dhe në perëndim të ditës u përdorën si pishtarë për të ndriçuar natën. Të gjithë ishin dishepuj të apostujve dhe qenë martirët e parë që Kisha e shenjtë romake ia dërgoi Zotit të tyre para vdekjes së apostujve». Egërsia me të cilën Neroni i qëlloi të krishterët e pafajshëm (zjarri ishte vënë me urdhër të tij me qëllimin për të rindërtuar Romën sipas një projekti të tij të madh) nuk gjen sigurisht justifikimin e interesit të lartë të perandorisë. Ata besimtarë paqësor në Krishtin nuk përbënin një rrezik. Egërsia e përdorur kundrejt tyre qe e tillë sa që zgjoi një ndjenjë tmerri dhe mëshire në vetë spektatorët e cirkut. «Atëherë u shfaq një ndenjë mëshire», shkruan gjithnjë Taçiti, «megjithëse bëhej fjalë për njerëz që meritonin ndëshkimet më shembullore, sepse shihej se ishin eliminuar jo për të mirën publike por për të kënaqur mizorin e një individi». Persekutimi zgjati tre vite, fillimi pati më të shquarin e martirëve Pjetrin: përfundimi kokëprerjen e shën Palit.