Shenjti i ditës: 30 nëntor – Shën Andreu, apostull

Written by on November 29, 2016

Shenjti i ditës: 30 nëntor – Shën Andreu, apostull

 

            Jezusi i zgjodhi apostujt e tij mes peshkatarësh. I pari që u thirr për të ndjekur Mesinë ishte pikërisht Andreu, vëllai më i madh i Pjetrit, peshkatar. Me Andreun iu përgjigj thirrjes Gjoni, të dy dishepuj të Pagëzuesit. Ishte profeti i ashpër që ua tregoi dishepujve Mesinë  në njeriun e Nazaretit i cili kalonte afër ujërave të Jordanit. Andrea e Gjoni nuk humbën kohë, e ndoqën Jezusin dhe e pyetën vetëm: «Ku banon?». Një mënyrë e pazakontë për t’u njohur, por e qartë në synimin për të kaluar nga rradha e pararendësit tek i prituri Mesia. Andreu ka edhe meritën se e ka çuar tek Jezusi të vëllanë Pjetrin, i cili do të kalojë para në konsideratën e Mësuesit, por jo shumë, meqenëse ungjilltarët e radhisin gjithnjë pas të vëllait.

            Ungjilli e përmend tri herë Andreun apostull: në shumëzimin e bukëve, kur edhe një herë luan rolin e prezantuesit, duke çuar tek Jezusi një djalë me pak bukë dhe peshq;  paraqitet përsëri si prezantues, kur bëhet ndërmjetës i disa të huajve që në Jerusalem iu drejtuan Filipit dhe Andreut  që t’i paraqiteshin Jezusit; së fundi kur një pyetje e tij e shtyn Jezusin të parashikojë fatin e keq dhe tragjik të Jerusalemit. Andreu përmendet mes apostujve në darkën pas të Ngriturit në Qiell. Gjatë jetës publike të Jezusit, ai jetoi gati në hije të vëllait, besnik dhe i heshtur «punëtor i vreshtës» pa pretendim tjetër përveçse të jetë i nevojshëm dhe pa kërkuar, pas Rrëshajve, një pozitë drejtuese pasi kishte qenë i parë që e kishte ndjekur Mesinë. Meqenëse mungojnë informacione të tjera të drejtpërdrejta mbi veprën misionare të Andreut, nuk na mbetet tjetër veçse t’i besojmë asaj çfarë shkruan Origjeni, sipas të cilit apostulli ka ungjillëzuar Skicinë (krahina mes Danubit dhe Donit), Ponto Euzinon, Kapadokinë, Galicinë dhe Bitininë për të kaluar më pas në Akai, ku është martirizuar me kryqëzim, një kryq në formën e X, i quajtur «kryqi i shën Andreut». Relikët e tij, të transportuara në 357 në Kostandinopojë, mbërritën në mënyrë të habitshme, në Amalfi. Në 1462 kafka e martirit u çua në Romë, në Shën Pjetër.


Current track

Title

Artist