Shenjti i ditës – 3 shkurt – Shën Vlashi, ipeshkëv e martir në shekullin e IV
Written by Radio Maria on February 2, 2017
Shenjti i ditës – 3 shkurt – Shën Vlashi, ipeshkëv e martir në shekullin e IV
Riti i përvitshëm i bekimit të fytit me dy qirinj të kryqëzuar përputhet me dy ngjarje të jetës së këtij shenjti popullor si në Lindje (ku përkujtohet më 11 shkurt), ashtu edhe në Perëndim. Ipeshkvi i Sebastit, për t’i shpëtuar përndjekjes të Dioklecianit dhe të Licinit, shkoi të jetonte në një shpellë, në një vend të egër. Pasi u zbulua nga disa gjahtarë, u dërgua përpara gjykatësit dhe u burgos. Gjatë burgosjes shumë njerëz shkonin ta takonin dhe ipeshkvi i shenjtë i shëronte të sëmurët që ia çonin.
Një ditë shkoi tek ai një nënë e dëshpëruar, duke mbajtur një fëmijë në prag të vdekjes, të cilit i kishte mbetur në fyt një halë peshku që po e mbyste, sepse i ishte ngulur në fyt. Vlashi e liroi me gjestin e thjeshtë të bekimit. Tek ai shkoi edhe një vejushë për ta lutur që t’i kthehej pasuria e vetme që zotëronte: një derrkuc që e rriste në shtëpi dhe të cilin ia kishte marrë ujku. Një lutje e shenjtit mjaftoi që kafsha të kthehej gjallë e shëndosh në stallë. Gruaja, në shenjë mirënjohjeje, i çoi të burgosurit një kulaç që e kishte përgatitur vetë dhe një palë qirinj për të ndriçuar qelinë e tij të errët. Shenjti u mallëngjye për dhuratën dhe i tha: «Ofro çdo vit një qiri në kishën e cila do të ngrihet në emrin tim; do të kesh një të mirë të madhe dhe nuk do të të mungojnë asnjëherë gjërat e nevojshme».