Shenjti i ditës – 29 qershor: Shën Pjetri e Pali, apostuj (martirë në 64–67)

Written by on June 28, 2017

Shenjti i ditës – 29 qershor: Shën Pjetri e Pali, apostuj (martirë në 64–67)

 

Fjala dhe gjaku janë fara me të cilën Pjetri e Pali kanë lindur Romën e krishterë dhe përmes saj të gjithë Kishën. Dy apostujt, pas Virgjërës së Lume, janë shenjtërit e përkujtuar me solemnitetin më të madh liturgjik, njësoj si Shën Gjon Pagëzuesi. Simoni, biri i Gjonit, ishte një peshkatar i Galilesë, i martuar, banues në Betsaidë. Ishte dishepull i Pagëzuesit dhe iu përgjigj me hov thirrjes së Jezusit, që e mbiquajti menjëherë Chefas, shkëmb, gur. Shën Marku Ungjilltar na paraqet portretin më të mirë të Pjetrit, dishepull i të cilit ai vetë ishte. Peshkatari i Galilesë na shfaqet plot me entuziazëm dhe nisma, nganjëherë i paqëndrueshëm, gjithnjë i gjallë. Shpall me vrull se Jezusi është Mesia, por një çast më pas e qorton Mësuesin për profecinë mbi Mundimin. Bëhet ndihmës i shokëve kur është puna për t’i bërë një pyetje Jezusit. Është i pranishëm në të gjitha rrethanat e rëndësishme të jetës së Shpëtimtarit, që nga shndërrimi deri në agoni në malin e ullinjve. Marku na flet për ngjarjen e mohimit dhe pendimit të Pjetrit, por hesht për emërimin e shqiptuar nga Mësuesi: “Ti je Pjetër – Shkëmb dhe mbi këtë shkëmb unë do ta ndërtoj Kishën time”. Dishepulli besnik mundohet kështu që ta respektojë përvujtërinë e Pjetrit. Veprat e Apostujve na e paraqesin si kryetar të bashkësisë së Jeruzalemit, pastaj të Kishës së Antiokisë dhe në fund të Kishës së Romës. Këtu Pjetri u martirizua gjatë persekutimit të Neronit në vitin 64, në Kodrën e Vatikanit, i kryqëzuar, – sipas traditës – me kokë poshtë. Mbi këtë vend Kostandini ngriti bazilikën më të madhe të krishterë.

           

Festa e sotme përkujton bashkërisht edhe Palin apostull, që u martirizua në Romë, por në një datë tjetër, në vitin 67. Veprat e apostujve janë të pasura me shënime mbi personalitetin e mrekullueshëm të misionarit të madh të parë të Kishës. Por ende më kuptimplote janë dymbëdhjetë letrat e tij drejtuar dishepujve, Timoteut, Titit, Filemonit dhe Kishave të themeluara nga ai. Ato janë pjesë e zbulimit hyjnor dhe propozohen për t’i medituar në leximet e të dielave. Nga përndjekës në apostull, Pali shpallet ministër, shërbëtor i Krishtit dhe shërbëtor i gjithë atyre që besojnë në të. I verbuar në rrugën e Damaskut nga një dritë misterioze që ia hap mendjen së vërtetës, tërhiqet nga dashuria e Krishtit, deri në atë pikë sa dëshiron të jetojë vetëm për të: “Nuk jam unë që jetoj, por Krishti jeton në mua”, shkruan në letrën drejtuar Galatasve. Kënaqet për gjithë atë që ka vuajtur për të shpallur Jezusin. Dëshiron të kryqëzohet me të për shpëtimin e vëllezërve. Meqë ishte qytetar romak nuk mund të pësonte poshtërimin e kryqit si Shën Pjetri, por i prihet koka në vitin 67, përgjatë rrugës Ostiense, në Moçalin e Salvit, ku tani ngrihet kisha e Tre Burimeve.


Current track

Title

Artist