Shenjti i ditës: 29 nëntor – Shën Saturnini, ipeshkëv e martir (+257)

Written by on November 28, 2016

Shenjti i ditës: 29 nëntor –  Shën Saturnini,  ipeshkëv e martir (+257)

 

            Mundimi i Saturninit, i shkruar në shekullin V, është një dokument i rëndësishëm për historinë e Kishës në Gali, e cila në atë kohë përbëhej nga bashkësi të vogla mes një popullsie kryesisht pagane. Saturnini vinte nga Afrika, siç ta krijon përshtypjen vetë emri. Ipeshkëv misionar, i dërguar për të predikuar ungjillin në Spanjë dhe në Galinë jugore. Në Tolos predikimi i tij dha fryte të mira; priftërinjtë e hyjnive pagan që përfitonin nga flijimi i përditshëm i një demi të flijuar në altarin e Jovit në kodrën e Kapitolit, e vërejtën shpejt humbjen e besimtarëve dhe «heshtjen» e hyjnive që nuk i jepnin me qartësi përgjigjet e tyre. Për këtë fajësuan ipeshkvin e krishterë, i cili, duke kaluar çdo ditë para tempullit për të shkuar tek një orator i tij i linte pagojë hyjnitë me praninë e tij të parespektueshme. Besimtarët, që paguanin me bujari përgjigjet e urimeve, të nxitur nga priftërinjtë, e morën Saturninin dhe e çuan para altarit të hyjnisë, duke e urdhëruar të flijojë një dem. Ipeshkvi, duke deklaruar me guxim se nuk i kishte frikë rrufetë e një hyji që nuk ekzistonte, nuk pranoi që ta nderonte.

            Njerëzit deshën të bënin drejtësi të marrë dhe pa ngurrim më të dhunshmit mes të pranishmëve gjetën një dënim të tmerrshëm. E lidhën Saturninin me qafën e demit (një ikonografi e vonë e paraqet të lidhur me litar),  e nxitën kafshën dhe e shtynë nëpër rrugët e qytetit. Pastaj e braktisën trupin e coptuar të martirit në mes të rrugës, duke e çuar demin afër altarit të hyjit që të flijohej. Disa gra të krishtera e morën trupin e martirit dhe e varrosën «në një gropë të thellë». Një shekull më pas, shën Hilari, ndërtoi një kapelë druri që u shkatërrua. Në shekullin VI një fisnik nga Tolosa e gjeti varrin dhe ngriti Kishën e Saint – Surnin – du –Taur, e famshme në Mesjetë, siç dëshmon shën Gregori i Tours. Ky shenjt është popullor edhe në Spanjë, ku gëzon famë si shërues dhe konsiderohet pajtor i atyre që luftojnë kundër demave në korrida. Por është e mundur që shenjti nuk i dëgjon ata që dalin në arenë për një sport  kaq pak të përshtatshëm me Këngën e krijesave.


Current track

Title

Artist