Shenjti i ditës: 29 Mars – Shën Sekondi, martir (119)

Written by on March 28, 2017

Shenjti i ditës: 29 Mars – Shën  Sekondi, martir  (119)

            I riu aristokrat nga Asti, zyrtar vartës i perandorit Adrianit, u kokëpre në qytetin e lindjes sepse kishte përqafuar besimin e krishterë, i bindur nga qetësia dhe guximi me të cilin të krishterët e përballonin torturën dhe martirizimin. Këto janë të dhënat e sigurta mbi shenjtin, shumë i njohur veçanërisht në Piemonte. Informaciaonet e tjera duhet t’i nxjerrim nga Mundimet tradicionale, në të cilat Sekondi përshkruhet si një djalosh pagan që vinte nga një familje e mirë, zemërgjërë dhe i ndjeshëm, që nuk ngurron ta vërë veten në rrezik për të shkuar të vizitojë të krishterët e dënuar me dënimin më të rëndë vetëm për fajin se adhuronin një Hyj të vetëm.

            Nga njëri prej këtyre të burgosurve, Kalogeri, Sekondi kishte marrë porosinë ungjillore. Nga Asti (Asta, koloni romake), shkoi me mikun Sapricin, që ishte prefekt i qytetit në Tortonë (Destona romake) për të marrë pjesë në procesin e të krishterëve të tjerë, mes të cilëve ishte edhe ipeshkvi Markiani. Kjo dëshmi e re guximi dhe feje e shtyu përfundimisht Sekondin të bëhej i krishterë. Riti do të kryhej më pas në Milano ku Sekondi pati fatin të takonte Faustinin dhe Gjovitën, dy vëllezër breshian, predikatar të zellshëm të Ungjillit, të cilëve do t’u prehet më pas koka në qytetin e tyre.

            Pasi u kthye në Asti, neofiti Sekondi dha prova jo vetëm për kurajo, duke u rezistuar joshjeve e pastaj kërcënimeve të mikut të vjetër Sapricit, por mdërmori edhe aktivitete misionare në territorin përtej lumit Po, ku, sipas legjendës ai kalonte me kalë mbi sipërfaqen e ujit si të ishte tokë. Kështu na e paraqet ikonografia. Saprici e harroi miqësinë e një kohe dhe duke e konsideruar Sekondin një rrezik për mbijetesën e hyjnive të vjetra të Romës, pasi e torturoi për ta detyruar të mohojë fenë, nuk ngurroi t’ia priste kokën. Asti, në të cilin Sekondi është shenjti pajtor, i ka kushtuar një kishë të bukur gotike, në kriptën e të cilës u ruajt trupi i tij deri në shekullin e XVI, më pas u vendos nën altarin e madh në një kuti argjendi, e ofruar nga Emanuel Filiberti i Savojës.


Current track

Title

Artist