Shenjti i ditës: 29 gusht – Martirizimi i Shën Gjon Pagëzuesit

Written by on August 24, 2017

Shenjti i ditës: 29 gusht, Martirizimi i Shën Gjon Pagëzuesi profet, pararendës i Mesisë (shekulli I)

Për Gjon Pagëzuesin Kisha kremton lindjen e tij (24 qershor), sepse u shenjtërua në kraharorin e së ëmës, kur Zoja e Bekuar shkoi në shtëpinë e kushërirës, Elizabetës, pas lajmërimit të engjëllit, dhe sot kremton martirizimin e «më të madhit ndër profetë». Vetë Jezusi tha: «Ai është më shumë se një profet…». Kremtimi i sotëm e ka origjinën më shumë në Lindje se sa në Perëndim. E njëjta datë (29 gusht) paraqitet në sakramentarët romakë, për të kujtuar gjetjen e kokës së Gjon Pagëzuesit, të vendosur në kishën romake të Shën Silvestrit në Kampo Marcio. Jeta që ky shenjt, pararendës i Krishtit, e bëri në shkretëtirë ka tërhequr murgjit e vjetër, të cilët e kanë zgjedhur si model në kuvendet e tyre.

Ungjilli na informon edhe për fillimin e misionit të Pararendësit, fjala e zjarrtë e të cilit bën që njerëzit ta ngatërrojnë me Elinë e ringjallur: në vitin e pesëmbëdhjetë të mbretërimit të Tiberit perandor (27 para.K). Gjoni e la vetminë e shkretëtirës për të ftuar popullin që «të përgatisë udhën e Zotit» dhe për të pritur Mesinë me një kthim të sinqertë. Fjala e tij iu drejtua të gjithëve, por jo të gjithë ishin të gatshëm për ta mirëpritur porosinë e tij. Entuziazmit të popullit iu kundërvu, zemërimi i farizenjve, të pastërve, të cilët Gjon Pagëzuesi – siç do të bëjë Jezusi – do t’i qortojë për hipokrizi. Qortimet e tij nuk i pëlqyen sidomos Herod Antipas dhe veçanërisht kunatës, Herodiadës, të cilët publikisht i qortoi për mëkatin e bashkëjetesës së tyre. E pagoi guximin e tij, siç ishte e parashikueshme, me arrestimin e tij dhe burgosjen e gjatë në Makeronte, mbi bregun lindor të Detit të Vdekur, ku u dëgjua edhe një herë zëri i tij në formë ftese drejtuar Jezusit: «A je ti ai që duhet të vijë apo duhet të presim një tjetër?». Një provokim për ta shtyrë Mesinë që të shpallet publikisht dhe të njihet nga dishepujt. Pastaj zëri i tij heshti përgjithmonë: Salome, e bija e Herodiadës, me nxitjen e saj, i kërkoi «xhaxhait» Herodit kokën e Gjon Pagëzuesit, si dhuratë që kishte kërcyer aq bukur.


Current track

Title

Artist