Shenjti i ditës: 28 Tetor – Shenjtërit Simoni e Juda, apostuj
Written by Radio Maria on October 27, 2016
Shenjti i ditës: 28 Tetor – Shenjtërit Simoni e Juda, apostuj
Më i panjohuri ndër dymbëdhjetë apostujt, Simoni, të cilit Ungjilli kufizohet duke i dhënë vetëm emrin dhe nofkën «Zelltar», ka meritën se ka punuar për përhapjen e porosisë ungjillore jo për të zënë një vend nderi por për triumfin e mbretërisë së Hyjit në tokë. Mungesën e informacioneve e plotësojnë traditat e vjetra. Bizantinët e identifikojnë me Natanaelin e Kanës dhe me «drejtorin e mensës» gjatë dasmës së njohur, kur Jezusi e shndërroi ujin në verë. Simoni mbahet edhe si kushëriri i Zotit, vëllai i shën Jakobit i Vogli, në vendin e të cilit u vendos, si ipeshkëv i Jerusalemit, në vitet e shkatërrimit të qytetit të shenjtë nga ana e Romakëve. Armenët pohojnë se ai e ka përhapur Ungjillin në krahinën e tyre, ku është martirizuar. Fusha e tij misionare paraqitet edhe nga Veprat legjendare të Simonit e Judës, sipas të cilave dy apostujt i përshkuan sëbashku dymbëdhjetë provincat e perandorisë persiane.
Edhe në Perëndim dy apostujt janë gjithnjë të parëzuar. Në Vevecia u kushtohet të dyve kisha e shën Simonit të Vogël. Juda apostull («jo Iskarioti», siç e përcakton shën Gjoni ungjilltar) mbahet nga galileasit «vëllai» (d.m.th kushëriri i Jezusit). Ata pyesin veten të habitur për zhurmën e madhe që po bëhej për figurën e Nazarenasit: «Po a nuk është ky zdrukthtar… vëllai i Jakobit, i Judës? (Lk 6, 3). Është e mundur, sipas disa ekzegjetëve, se Juda është dhëndri i dasmës së Kanës. I pari që e ka supozuar ka qenë historiani Euzebi për të shpjeguar praninë e tij si misionar në Arabi, në Siri, në Mesopotami dhe në Persi. Gjithnjë sipas traditës, është martirizuar në Arado ose në Beirut. Ai identifikohet edhe si autor i letrës kanonike që mban emrin e tij, një shkrim i shkurtër me njëzet e pesë rreshta në të cilin qorton ashpër mësuesit e rrejshëm dhe bën ftesë për qëndrueshmëri në fenë e vërtetë.