Shenjti i ditës: 28 shkurt – Shën Romani, abat i Kondat (390 – 463)
Written by Radio Maria on February 24, 2017
Shenjti i ditës: 28 shkurt – Shën Romani, abat i Kondat (390 – 463)
Jeta rregulltare në Perëndim e ka fillimin vetëm në shekullin IV. Për shumë të krishterë, jeta e Shën Antonit abat, e shkruar nga Shën Atanasi, është një lloj zbulimi. Bëhet fjalë për ikjen e shumë të rinjve nga qyteti, të cilët tërhiqen në vende të shkretuara dhe përpiqen të imitojnë vetmitarët e Tebaidës. Për këtë fenomen kemi një dokument të dorës së parë në Rrëfimet e Shën Augustinit.
Kuvendi i parë në Gali, i themeluar nga shën Martini i Tursi, gjen kudo nga pak imitues. Në një prej këtyre kuvendeve, në Ainaj, afër Lionit, një i ri me emrin Roman jeton përvojën e tij në kuvend, por nuk e gjen vetminë e dëshiruar. Me lejen e abatit, i pajisur me Biblën dhe me vegla pune, shkon në kërkim të një vendi të vetmuar mes maleve të Giurës dhe gjurmët e tij humbën për disa vite. Vëllai i tij, Lupiçino, i mbetur i ve, ndihet i tërhequr nga jeta e kuvendit dhe, duke u ngjitur mes maleve, e gjen më në fund Romanin dhe bashkohet me të. Por, edhe murgj të tjerë janë duke ndjekur gjurmët e tyre. Kështu që dy vëllezërve iu duket e arsyeshme të ndërtojnë një kuvend të madh në Kondat, i cili më vonë do të marrë emrin e abacisë së Sent-Ojendit. Romani, që ishte më i butë dhe tolerues se i vëllai, nuk u imponon rregulla të ashpra murgjve të tij. Ndërsa Lupiçino nuk bën përjashtime dhe një vit, kur të korrat ishin të bollshme, pasi e vëren se bashkëvëllezërit nuk kujdeseshin të argjërojnë siç ishte e përcaktuar, ai e hedh grurin në përrua. Të habitur për këtë gjest, dymbëdhjetë murgj e braktisin abacinë. Romani i ndjek dhe u lutet në gjunj që të kthehen në kuvend. Të dymbëdhjetët, duke ikur, ndërrojnë mendje dhe kthehen. U ndërtua edhe një kuvend i dytë në Lukone dhe një i tretë në La Bom për motrën dhe murgeshat e saj. Sot quhet Sent-Roman de la Rosh. Tregohet se Romani, pasi u kthye nga shtegtimi në varrin e Shën Mauricit, gjeti dy të gërbulur në shpellën ku u strehua për të kaluar natën. I përqafoi dhe i ngushëlloi. Mëngjesin më pas, dy të gërbulurit, pasi e vërejtën se ishin shëruar, shkuan në qytet për të përhapur lajmin e mrekullisë së bërë nga murgu i shenjtë.