Shenjti i ditës – 28 qershor: Shën Ireneu, ipeshkëv e martir (130–202)
Written by Radio Maria on June 27, 2017
Shenjti i ditës – 28 qershor: Shën Ireneu, ipeshkëv e martir (130–202)
Ireneu, dishepull i Shën Polikarpit dhe, përmes së tij, i Shën Gjonit apostull, është një figurë me rëndësi parësore në historinë e Kishës. Me prejardhje nga Azia, i lindur ndoshta në Smirnë, ai shkoi në Gali dhe në vitin 177 i zuri vendin ipeshkvit nëntëdhjetëvjeçar Shën Potinit në selinë ipeshkvnore të Lionit, i cili vdiq nga rrahjet e marra gjatë persekutimit kundër të krishterëve. Pak ditë para trazirave kundër të krishtera, Ireneu ishte dërguar në Romë nga ipeshkvi i tij për të qartësuar disa çështje doktrinore. Pasi u kthye në Lion, sapo u qetësua stuhia, u thirr t’i zinte vendin ipeshkvit martir, në një Kishë të ndarë nga meshtarët e saj dhe nga pjesa më e madhe e besimtarëve të saj. E udhëhoqi si ipeshkëv i vetëm Kishën e krejt Galisë. Ai, grek, mësoi gjuhët e barbarëve për të ungjillëzuar popullsitë kelte e gjermanike. Dhe aty ku nuk shkonte zëri i tij, shkonte fjala e tij e shkruar.
Në pesë librat e tij Kundër herezive paraqitet jo vetëm apologjeti i madh, por edhe bariu i mirë, i shqetësuar për ndonjë dele të humbur që përpiqet ta kthejë në vresht. Ireneu kërkon falje për latinishten e tij pak elegante: ai jeton mes keltëve dhe duhet të flasë gati vazhdimisht “dialektin e tyre barbar”. Dëshmia e tij është me vlerë të madhe për historinë dhe traditën e Kishës së parë, veçanërisht Shfaqja e predikimit të tij apostolik, një traktat i gjetur në vitin 1907, në një përkthim armen, ku Shën Ireneu vendos të grupojë elementet kryesore të fesë së krishterë duke i mbështetur në Shkrimin Shenjt. Mbahet si e Ireneut edhe letra e Kishave të Lionit e të Vienesë, drejtuar kishave të Azisë mbi përndjekjen lioneze të vitit 177. Ajo mbahet si një prej kryeveprave të letërsisë fetare, që do të jetë model i Veprave të mëvonshme të martirëve. Është mbi të gjitha predikimi i tij që bëhet unaza lidhëse me traditën e drejtpërdrejtë apostolike. Ai, shkruan Euzebi, kishte ruajtur një kujtim të pashlyeshëm të mënyrës se si Polikarpi tregonte “bisedën familjare që kishte pasur me Shën Gjonin dhe të tjerët që kishin parë Zotin”.