Shenjti i ditës: 28 prill, Shën Pjetër Shanel, martir (1803 – 1840)

Written by on April 26, 2017

Shenjti i ditës: 28 prill – Shën Pjetër Shanel, martir (1803 – 1840)

 

Është martiri i parë i Oqeanisë, u shpall pajtor i saj ditën e kanonizimit të tij që u bë me 12 qershor 1954. Pjetër Shanel lindi me 12 korrik të vitit 1803 në Kuet në dioqezën e  Beley në Francë nga një familje e thjeshtë fshatarësh. E kaloi fëmijërinë duke punuar përkrah të atit në fusha: që në moshën gjashtë vjeçare fëmijët e atëhershëm dinin të përdornin shatin! Përfundoi studimet në seminarin dioqezan dhe me 15 korrik të vitit 1827 u shugurua meshtar. Së pari vikar, më pas qe famullitar në Krocet, ku qëndroi vetëm katër vite, pasi që nga kohët e seminarit kishte vendosur të shkonte në mision. U bashkua me Etërit Marist, të cilëve Selia e shenjtë u kishte besuar në vitin 1835 detyrën për të ungjilizuar Oqeaninë. Pjetër Shanel, i pritur si një dhuratë e qiellit, pati detyrën të udhëhiqte grupin e parë të misionarëve.

Dërgesa arriti me 12 nëntor të vitit 1837 në ishullin e Futurës: Pjetër Shanel zbarkoi me një vëlla të ri marist. Ishulli ishte i ndarë më dysh nga një mal që ndante dy fise në luftë të përhershme mes tyre. Pjetri qe i detyruar të pranonte mikpritjen e më të fortit. Me shumë vështërsi arriti të kuptonte e pastaj të fliste gjuhën e tyre, e filloi ungjillëzimin duke vizituar së pari të sëmurët. Përreth misionarit rritej edhe kundërshtimi i të moshuarve të cilët nuk e toleronin faktin që të rinjtë e pranonin Ungjillin. Dhe kur biri i kryetarit të fisit kërkoi që të pagëzohej, zemërimi atëror u shndërrua në dëshirë vrasëse. Kryetari i fisit u paraqit në kasollen e thjeshtë të Pjetër Shanel dhe e vrau me një goditje sëpate. Martirizimi i misionarit pati efekt të kundërt nga ai që ishte shpresuar: pjesa më e madhe e popullsisë së ishullit i kërkoi pagëzimin vëllait shekullar Nicezit. Gjaku i shën Pjetër Shanel shërbeu si çmim për t’i hapur dyert ungjillëzimit të Oqeanisë.


Current track

Title

Artist