Shenjti i ditës: 28 Mars – Shën Gontrani, mbret i Burgundisë (+ 529)
Written by Radio Maria on March 27, 2017
Shenjti i ditës: 28 Mars – Shën Gontrani, mbret i Burgundisë (+ 529)
Frankët dolën nga vitet e errëta të Mesjetës së parë me mbretin Klodoveun (482 – 511), i cili arriti të eliminonte pjesët e zotërimit romak në Gali. Falë ndikimit të së shoqes, princeshës burgundeze Krodekildes (shën Klotilda), katolike e flaktë, u pagëzua me të gjithë ushtarët e tij nga ipeshkvi shën Remigji, pasi i mundi Alemanët dhe vetë Burgundët, duke i zgjeruar kështu kufinjtë e mbretërisë, e cila kur vdiq u nda mes katër fëmijëve. Gontranit i takoi pikërisht toka e Burgundëve. Vëllezërit e tjerë duke luftuar kundër njëri – tjetrit, u eliminuan ndër vete. Qëndroi në këmbë vetëm Gontrani, pagoi për atë që kishte dhe iu kushtua kënaqësive të jetës më shumë se shpatës. Sjellja e tij nuk qe shembullore. E la gruan e parë, sepse sipas tij ishte fajtore se i kishte dhënë vetëm një djalë, i cili vdiq sapo lindi. Gruaja e dytë nuk pati fat më të mirë. Edhe gruaja e tretë, Austrekilda pati rrezik me vdekjen e dy fëmijëve në moshë të vogël.
Tundimi për të ndërruar përsëri grua ishte i madh por i bindur se vdekja kishte trokitur vazhdimisht në portën e shtëpisë së tij për shkak të mëkateve të tij, Gontrani ndyshoi në mënyrë të vendosur sjellje. Adoptoi nipin Kildebertin, zgjodhi si kryeqytet të mbretërisë Chalon – sur – Saone dhe nxiti ungjillzimin e territoreve të Giurës. Themeloi pothuajse kudo kisha e kuvende. E meqenëse e kishte varur mjekun e familjes sepse nuk kishte arritur të kuronte bijtë e tij, favorizoi studimet, duke themeluar shkollat e para afër kuvendeve.
I respektoi të drejtat e Kishës pa ndërhyrë asnjëherë në zgjedhjen e ipeshkvinjëve, thirri gjashtë koncile krahinore për të vendosur disa reforma. U përpoq personalisht për të ndihmuar popullin e tij, i munduar nga murtaja e herëpashershme dhe nga uria, duke iu ofruar Hyjit si viktimë për shlyerjen e mëkateve të veta dhe të tjerëve. Duket se vishte veshjen e murgut pasi e frekuentonte vazhdimisht kuvendin e shën Marçelit të Chalon. Gjithë kjo e ndihmoi për të marrë kurorën e shenjtërisë.