Shenjti i ditës: 28 Maj – Shën Gjermani, ipeshkëv i Parisit (496 – 576)
Written by Radio Maria on May 26, 2017
Shenjti i ditës: 28 Maj – Shën Gjermani, ipeshkëv i Parisit (496 – 576)
Shën Gjermani ishte djali i padëshiruar i një gruaje që nuk e deshi kurrë. Nëna e tij u përpoq disa herë që ta dështonte, por nuk ia doli dot. Ai nuk pati një fëmijëri të lumtur. Edhe një hallë e tij provoi ta hiqte qafe. E kishte pranuar në shtëpinë e saj dhe kujdesej që ai të shkollohej. Por, nga xhelozia që kishte ndaj tij, pse i biri i saj mësonte më pak në shkollë, ajo u përpoq që ta helmonte. I privuar nga dashuria familjare, Gjermani u largua nga të gjithë duke jetuar praktikisht si vetmitar. Ndodhi kështu derisa ipeshkvi i Autunit, Agripini, e thirri afër vetes dhe e shuguroi diakon e pastaj meshtar. Netari, që erdhi pas Agripinit, e emëroi abat të kuvendit të shën Sinforianit ku mbizotëronte njëfarë anarkie. Gjermani rivendosi aty rregullin benediktin. Mbreti Shilderik e thirri në oborrin mbretëror me shpresën që të gjente ilaçin për fatkeqësitë e tij. Gjermani e shëroi në trup, por edhe në shpirt, duke e kthyer drejt një jete më të ndershme. Mbreti mirënjohës i ndërtoi një kuvend dhe një kishë jashtë qytetit, në mes të fushave, në mënyrë që të themelonte një bashkësi benediktine.
Nisi kështu kuvendi më i famshëm i Parisit që do të quhet Shën Gjermani i Fushave, qendër e rëndësishme përshpirtërie benediktine dhe një vend tërheqës i Parisit modern. Pas vdekjes së ipeshkvit Netar, Mbreti Shildebert e emëroi Gjermanin si pasardhës të tij. Mbretër e perandorë e ruajtën gjatë këtë privilegj. Kjo qe një zgjedhje e bërë mirë, pasi ipeshkvi i zgjuar, i quajtur “babai i të varfërve”, u tregua një ndërmjetës i aftë mes trashëgimtarëve grindavecë të Shildebertit, duke filluar nga Klotari e më pas. Ipeshkvi i shenjtë vdiq në moshën tetëdhjetëvjeçare. Ai u varros në kapelën e Shën Sinforianit. Në vitin 754, në praninë e mbretit Pipin, i Shkurtri, dhe të riut Karli i Madh, trupi i tij u dërgua me procesion në kishën që mban emrin e tij.