Shenjti i ditës: 27 prill – Shën Zita, pajtore e shtëpiakeve (1218 – 1272)

Written by on April 26, 2017

Shenjti i ditës: 27 prill – Shën  Zita, pajtore e shtëpiakeve (1218 – 1272)

 

Pak vite pas vdekjes së kësaj shenjtëreshe, Dante Aligeri, duke dashur të tregojë zyrtarët e qytetit të Lukës, flet për «të moshuarit e shën Zitës». Shtëpiakja e përvujtë, e varfër dhe bujare, ia kishte dhënë emrin e vet qytetit. Ishte bijë fshatarësh të varfër nga Monsagrati, një fshat pak më larg nga Luka. Prindërit ia kishin transmetuar bashkë me butësinë e karakterit edhe atë ndjenjë të veçantë detyre që do të bëhet shembull për t’u imituar nga ata që kryejnë punët e përvujta shtëpiake edhe në shtëpinë e të tjerëve. Që në moshën dymbëdhjetë vjeçare Zita ishte dërguar në shërbim në familjen e pasur të Fatineli në Luka. E pranoi me shpirt të gatshëm gjendjen e vet shoqërore, duke qenë e vetëdijshme se çdo shërbim që i bëhej të tjerëve ishte i pëlqyeshëm para syve të Hyjit, për dashurinë e të cilit punonte. Toleronte qortime dhe fjalë të panjerëzishme nga ana e pronarëve që e trajtonin si «shërbëtore» (ishin akoma larg fitoret shoqërore të arritura nga bashkëpunëtoret aktuale familjare). Familja e pasur kishte në shtëpi shërbëtorë të shumtë dhe shpesh herë Zita i zevëndësonte me punën e saj mungesat e shokëve, që ia shkëmbenin nderat duke e përqeshur për zellin dhe zemërgjerësinë me të cilën impenjohej në punët shtëpiake.

Zita nuk tregoi kurrë inat për askënd dhe vetmohimi i saj tërhoqi besimin e të gjithëve, në veçanti «të zotërinjëve», që ia besuan drejtimin e shtëpisë. Ajo përfitoi, për t’u treguar bujare me të varfërit që trokisnin tek dera, dhuronte nga gjërat e veta, vinte mënjanë atë që arrinte të kursente nga ajo pak që merrte në fund të muajit, për të ndihmuar familjet më të varfëra. Një shoqe pune e akuzoi se u jepte shumë gjëra të varfërve. Pronari e ruajti dhe një ditë që e pa duke dalë me përparsen e fryrë i shkoi mbrapa: «Çfarë ke aty brenda»?, – e pyeti. «Lule dhe degë me gjethe», – përgjigji Zita. E lëshoi përparësen dhe në këmbët e saj ra një shi lulesh. Vdiq në shtëpinë e Fatinelëve pas pesë ditësh nga një sëmundje. Fama e virtyteve të saj ishte e tillë saqë qytetarët e Lukës deshën që të varrosej në bazilikën e shën Iredianit, që e ruan akoma sot trupin e shenjtëreshës, të shpallur pajtore të shtëpiakeve nga Piu XII.


Current track

Title

Artist