Shenjti i ditës – 27 janar – Shën Angjela Meriçi, virgjër (1474 – 1540)
Written by Radio Maria on January 26, 2017
Shenjti i ditës – 27 janar – Shën Angjela Meriçi, virgjër (1474 – 1540)
Frekuentimi i shkollës së Orsolineve ka qenë gjithnjë një mburrje për shumë vajza; për një mundësi të tillë duhet t’i thonë faleminderit shenjtëreshës që përkujtohet sot, e cila në fillim të viteve njëmijë e pesëqind pati kurajon të ecte kundër rrymës, duke hapur shkollat e para për vajza. Kjo ishte një ide revulocionare, sepse deri atëherë shkollat ishin privilegj i pak meshkujve të cilët kishin si synim jetën kishtare, politike ose letrare.
Angjela lindi në Desencan të Gardës, në një familje të thjeshtë fshatarësh, u bë pjestare e Urdhërit të Tretë françekan që në moshë të re, me qëllim që ta jetonte plotësisht jetën rregulltare. Pasi mbeti pa prindër, në moshën pesëmbëdhjetëvjeçare ndërmori një udhëtim aventuresk në Tokën e Shenjtë, gjatë të cilit u bë papritur e verbër, gjë që ia mohoi gëzimin për të parë vendet ku kishte kaluar Jezusi. Por në atë rast pati privilegjin të shihte të projektuar në vete një dritë misterioze që i zbuloi misionin e saj të ardhshëm: pa një shkallë të gjatë që arrinte deri në qiell, në të ngjiteshin me lehtësi turma vajzash. E kuptoi se detyra e saj ishte që t’u tregonte vajzave udhën drejt qiellit dhe se kjo ngjitje fillonte nga shkolla.
Ajo, e vetëmësuar, e re pak e pashme dhe me prejardhje nga një shtresë e ulët, i ka dhënë Kishës Kongregatën e parë femërore, Institutin e shën Orsolës, me qëllim për të favorizuar arsimimin e vajzave, të lëna gjithnjë pas dore nga ana kulturore. Shoqet e para, që gjithnjë e më shumë u bashkuan me të në këtë apostullat, visheshin si të gjitha vajzat e tjera të fshatit, edhe pasi që në vitin 1535 Angjela formoi një Kongregatë të re, rregulla e të cilës u shtyp pas vdekjes së saj, që ndodhi në Bresha me 27 janar të vitit 1540. Kanonizimi i saj u bë në vitin 1807.