Shenjti i ditës – 27 dhjetor – Shën Gjoni, apostull dhe ungjilltar (+100)

Written by on December 25, 2016

 Shenjti i ditës – 27 dhjetor – Shën  Gjoni, apostull dhe ungjilltar (+100)

 

            Gjoni, «nxënësi që Jezusi e donte» dhe të cilit ia besoi nga kryqi nënën e tij, ishte galileas, biri i Zebedeut dhe vëllai i shën Jakobit të Madh. Me profesion peshkatar i ardhur nga Betsaida si dy peshkatarët e tjerë të famshëm, Pjetri dhe Andreu. Ka mundësi që për shkak të profesionit të tij si peshkatar sinedri pas të Ngriturit në Qiell të Zotit tonë – e ka mbajtur si «të paditur dhe të pagdhendur», por kush e Lexon ungjillin e katërt e vëren guximin e mendimit të Gjonit, që të krishterët e quanin «Teologu» për antonomazi. Më i prirur për kontemplim sesa për veprim, është prototipi i shpirtërave të kushtuar. Është ndër personat më të afërm të Jezusit, më i afërmi i Mësuesit në momentet solemne, si në Darkën e fundit; është afër Jezusit kur është duke vdekur në kryq dhe i dëgjon fjalët e tij të fundit. Në ndryshim nga apostujt e tjerë, Gjoni nuk është i martuar dhe një gjendje të tillë do ta mbajë gjatë gjithë ekzistencës së tij të gjatë që e dha në shërbim të Ungjillit. Është autori i Ungjillit të katërt, i cili përqëndrohet në hyjninë e Krishtit që nga rreshtat e parë në të cilët si shqiponjë (simboli i Gjonit) që në hapjen e parë të krahëve ngrihet në  lartësitë marramendëse të misterit trinitar: «Në fillim ishte Fjala, e Fjala ishte në Hyjin, e Fjala ishte Hyj».

            Është edhe autori i tri letrave kanonike dhe i Apokalipsit (libri i «Zbulesës» ose libër profetik që mbyll kanonin biblik), në të cilin parashikohet triumfi i Shpëtimtarit dhe i Kishës së tij, me gjithë kundërshtimet e persekutimeve që pengojnë ecjen: lufta e forcave të errësirës kundër saj do të zgjasë gjithnjë në këtë tokë, por Kisha do të dalë fitimtare. «Biri i rrufesë» – kështu e quajti Mësuesi – ishte një natyrë e zjarrtë, kundër lëshimeve dhe lavdërimeve. Ndoshta qëndron pikërisht këtu sekreti i miqësisë së pashprehshme që e lidhte me Jezusin. Pas Rrëshajve e kaloi pjesën më të madhe të viteve të tij në Efes dhe në ishullin e Patmos. Legjenda tregon se ai është hedhur në një kazan vaji të vluar në Romë dhe se doli shëndosh. Gjoni vdiq në moshë të shkuar në Efes.


Current track

Title

Artist