Shenjti i ditës – 26 qershor: Shenjtërit Gjoni e Pali, martirë (shekulli VI)

Written by on June 23, 2017

Shenjti i ditës – 26 qershorShenjtërit Gjoni e Pali, martirë (shekulli VI) 

 

Emri i këtyre dy martirëve romakë përsëritet prej shekujsh në Kanonin romak. Janë dy vëllezër gjaku e feje, të cilëve iu pre koka dhe u varrosën në shtëpinë e tyre në Çelio. Nën bazilikën e mrekullueshme me pamje nga Fshati Çelimontana, qendër për shëtitjet e familjeve romake ditëve të diela, është gjendur një varr bisom, d.m.th i ndërtuar për të varrosur dy trupa. Afresket me tema pagane dhe të tjera me skena martirizimi të bëjnë të mendosh se shtëpia romake ka qenë vazhdimisht e banuar nga të krishterë. Por si ta shpjegojmë praninë e varrit brenda mureve të Romës? Mundimi i dy martirëve, i shkruar në një epokë të mëvonshme, e kapërcen vështirësinë me një hap pesëdhjetë vjeçar. Ai e vendos martirizimin e dy vëllezërve në natën e 20 qershorit të vitit 362, gjatë persekutimit të nxitur kundër të krishterëve nga Juliani Apostat, megjithëse historia e përjashton një përndjekje kundër të krishterëve në Romë në ato vite. Juliani jetoi në Lindje dhe vetëm atje ndodhi kthimi i fundit i përndjekjeve kundër të krishterëve. Mendohet se dy vëllezërit janë martirizuar nën perandorin Dioklecian.

 

Të provojmë ta çlirojmë Mundimin nga emrat e Julianit dhe Kostandinës, e bija e Kostandinit që ua kishte besuar dy administratorëve të zgjuar pasuritë e veta. Gjoni e Pali ishin të pasur e bujarë. Fshati i tyre shtrihej në shpatin e Çelios dhe ishte aq i bukur sa t’ia shtinte lakminë edhe vetë perandorit. Terenci, shefi i rojeve perandorake, i ftoi të dy për të marrë pjesë në një rit pajtimi në nder të Jovit. Ishin të krishterë dhe si të tillë refuzuan me vendosmëri. Terenci nuk priste tjetër: i dënoi me arrest shtëpie. Ditën e dhjetë, duke parë se nuk po hiqnin dorë nga refuzimi i tyre, “ai urdhëroi që t’u pritej koka fshehurazi dhe të groposeshin në shtëpinë e tyre”. Pastaj përhapi fjalën se dy vëllezërit ishin dërguar në kufi. Gjatë perandorisë së Kostandinit, u ngrit një bazilikë e madhe mbi shtëpinë e tyre, pra mbi varrin e tyre.


Current track

Title

Artist