Shenjti i ditës: 26 mars – Shën Ludgeri, ipeshkëv (745 – 809)
Written by Radio Maria on March 25, 2017
Shenjti i ditës: 26 Mars – Shën Ludgeri, ipeshkëv (745 – 809)
Ludgeri, i lidur në Suesknon në Frizi, një krahinë e Gjermanisë veriore, ishte dhjetë vjeç kur apostulli i madh i Gjermanisë, shën Bonifaci, u martirizua në Dokum me pesëdhjetë e dy shokë të tjerë. Ludgeri studioi në shkollën e shën Gregorit dhe më vonë shkoi në Angli për të përfunduar studimet në shkollën e abacisë, e drejtuar nga i lumi Alkuini. Gjaku i martirëve është fara e brezave të ri të krishterë. Flija e misionarit të madh e rriti tek Ludgeri thirrjen misionare. Ai mendonte vazhdimisht për Frizin qytetin e tij, të cilit nuk i kishte mbërritur akoma porosia ungjillore. Pak guximtar kishin arritur të kapërcenin kufinjtë, duke e paguar me martirizim predikimin e tyre. Ndonjë fryt të mirë e kishin mbledhur: si Ludgerin e ri të cilin ndokush e kishte marrë me vete për ta besuar në shkollën e abacisë së Utrecht. Pasi mbaroi studimet teologjike në Angli dhe pasi u shugurua meshtar, Ludgeri u kthye në Gjermani, duke vendosur në Vestfalia pikën rrezatuese të punës misionare. Prej këtu do të mbërrinte deri në Frizin e tij, në ndjekje të ushtrisë së Karlit të Madh. Metodat e përdorura nga perandori për t’ia afruar Kishës, popujt e papindur gjerman nuk ishin sigurisht të lavdërueshme. Në vitin 776, gjatë dërgimit të parë në krahinat pagane të veriut, Karli i Madh ua kishte imponuar pagëzimin të gjitha popullsive të mundura, duke filluar që nga luftëtarët e mundur në fushë. Për Ludgerin të korrat ishin vërtet të shumta. Por porsa u nis perandori, shpërtheu revolta e Vidukindos, që u pasua nga apostazia e përgjithshme e gjithë të pagëzuarve. Vetë Ludgerit iu desh të ikte dhe të kthehej në Vestfalia ku situata ishte më e qetë. Shkoi në Romë dhe mbërriti Montekasinon për t’u kalitur më tej në shpirt. Veshi edhe veshjen e murgjve të shën Benediktit, megjithëse nuk i mori kushtet solemne. Këtu e gjeti vetë Karli i Madh dhe e ridërgoi në atdhe, duke ia besuar misionin në Frizin e tij dhe duke i ofruar ipeshkvinë e lirë të Trevirit, të cilën Ludgeri e refuzoi. Nuk i shpëtoi ama misionit në Alzacia, ku themeloi një kuvend, bërthamën e parë të qytetit të ri të Mynster, që do të thotë pikërisht «kuvend». U varros në kuvendin benediktin në Verden.