Shenjti i ditës: 25 korrik – Shën Jakobi, apostull (+ 44)

Written by on July 24, 2017

Shenjti i ditës: 25  Korrik – Shën Jakobi, apostull (+ 44)

  

            Jakobi i cili quhet i Madh për ta dalluar nga aposulli me të njëjtin emër «vëllai i Zotërisë», ose thjesht përse ishte vëllai më i madh i Gjonit ungjilltar, na paraqitet me Jezusin që nga ditët e para të jetës publike, Jezusi i quan «bijtë e rrufesë», i lavdëron dhe i qorton në të njëjtën kohë, për arsye të natyrës gjaknxehtë të dy vëllezërve të cilët janë të gatshëm të thërrasin zjarrin nga qielli për të djegur fshatin samaritan i cili nuk i pranoi. Ata janë të vendosur dhe zemërgjerë kur iu duhet të përballohen me vuajtjet për dashuri ndaj Mësuesit, kur i pyet: «A mund ta pini kelkun?» – d.m.th a jeni të gatshëm të vdisni për mua? Kësaj here Jakobi i përgjigjet i pari: «Po, jemi të gatshëm». Dhe vërtet Jakobi i pari paraqiti dashurinë dhe besnikërinë për Mësuesin duke derdhur gjakun. Ai qe apostulli i parë i cili u martirizua.

            Pas zjarrit gjallërues i cili ra nga qielli ditën e Rrëshajëve, Jakobi qe futur në burg dhe qe rrahur «duke u gëzuar se ishte i denjë të pësonte për shkak të emrit të Jezusit». Në persekutimin e dytë nga ana e atutoriteteve hebraike bëhet martiri i parë, Shtjefni diakon. Më mizori ishte persekutimi i tretë të cilin e bëri Herod Agripa «për t’u pëlqyer Judenjëve», duke u paraqitur si pasardhës i denjë i xhaxhait, vrasësit të Gjon Pagëzuesit dhe të gjyshit Herodit të Madh i cili u përpoq të vriste Jezusin foshnje. Ky mbret pra, që mbahej në këmbë nga perandori romak, në festat e pashkëve të vitit 44 «filloi të salvojë disa anëtarë të Kishës: me shpatë e preu Jakobin, e kur hetoi se kjo gjë po u pëlqente judenjve, mendoi të burgosë edhe Pjetrin» edhe pse duket e pabesueshme nga pikpamja historike një legjendë e shekullit IX Jakobin e Madh na e paraqet si ungjillizues të Spanjës ndërsa Kompostelën si vend në të cilin u sollën relikët e tij nga Jerusalemi. Kështu Kompostela u bë qendra më e famshme pas Jerusalimit dhe Romës e shtegtimeve të krishtera. Shën Jakobi është pajtori i Spanjës.

Një zbulim i ri rihapi rastin për vërtetësinë e relikëve të Jakobit apostull të cilat nderohen në Kompostelë. Jakopo nga Baragjine në Legenda Aurea Sanctorum thotë: «Kështu tregon Gjovani Belet se pas vdekjes së Jakobit, nxënësit e tij për shkak të frikës së judenjëve e vendosën trupin e shenjtit në një anije duke ia besuar detyrën e varrosjes provanisë hyjnore, hipën edhe ata në këtë anije pa timonier; engjëlli i Zotit bëri që të arrijnë shëndosh e mirë në Galici. Nxënësit e vendosën trupin e shenjtit në një shkëmb të madh, ky shkëmb u shkri si dylli dhe e mbylli në vetvete si sakrofag trupin e tij». Pas shumë ngjarjeve trupi i shenjtit u varros. Në vitin 813 një vetmitar vërejti drita mbinatyrore, pothuajse një shi yjesh, në një fushë afër vendit ku rrinte. Ipeshkvi i Inës pas tri ditësh argjërimi, me disa besimtarë erdhi në Campus Stellae, në të cilin gjurmoi dhe gjeti varrin, me një trup të kokprerë të cilin e identifikoi me trupin e shën Jakobit.


Current track

Title

Artist

Send this to a friend