Shenjti i ditës: 25 janar – Kthimi i Shën Palit
Written by Radio Maria on January 24, 2017
Shenjti i ditës: – 25 janar – Kthimi i Shën Palit
Me kthimin, që Kisha latine e përkujton me festën e sotme liturgjike që nga shekulli i VI, shën Pali mori direkt nga Krishti misionin për të ungjillëzuar popujt. Kjo ngjarje e jashtëzakonshme u ngulit thellë në historinë e Kishës. Një prej persekutuesve të saj më aktiv u bë misionari më i zellshëm dhe i palodhshëm.
«Jam i padenjë të quhem apostull », shkruan për veten e tij, duke kujtuar kundërshtimet që ia bëri në moshë të re, bashkësisë së parë të krishterë, por shton me një krenari të ligjshme: «jam lodhur më shumë se të tjerët». Ja kredencialet e tij prej apostulli: ka parë Jezusin e ringjallur, është dëshmitar për këtë; është thirrur dhe dërguar për të predikuar Ungjillin, si apostujt e tjerë. «Kush je,o Zot?»: nënkuptohet në pyetjen e Saulit, i rrëzuar nga drita e madhe hyjnore gjatë rrugës për në Damask, prova e mirëbesimit të tij. Dhe përgjigjia ishte gjithashtu plot me kuptim: «Unë jam Jezusi që ti e salvon». Palit i është zbuluar e vërteta misterioze e Korpit mistik të Kishës.
Vazhdimi na e sqaron sekretin e atij shpirti bujar, megjithëse nuk ishte tolerant ndaj atyre që i quan tradhëtar dhe heretik: «Vështirë e ke të qitësh shqelma kundër hostenit» (Vap 26, 14). Pali ishte bërë shenjë e «hostenit» të hirit dhe ai vezullim drite që momentalisht e bëri të verbër ia hapi sytë për veprën shpëtimtare të Krishtit. Mrekullia e hirit kishte përmbledhur në atë llampë vetëtuese gjithë teologjinë e Palit, bukë e domosdoshme për t’u ndarë me vëllezërit, përmes predikimit të folur e të shkruar. Secila prej letrave që u është shkruar bashkësive të ndryshme trajton temat e mëdha të kësaj porosie hyjnore.
Në vitin 36, Sauli ishte i pranishëm në vrasjen me gurë të martirit të parë të krishterë, Shtjefnit, por nuk mori pjesë sepse ishte akoma «i ri», thuhet në Veprat e Apostujve. Në vitin 62, Pali shkruan se është tashmë «i vjetër». Mund të mendohet se ai ka lindur mes viteve 6 dhe 10 dhe se i është prerë koka rreth vitit 69; aktiviteti i tij apostolik u zhvillua në një hark kohor prej njëzet vitesh, mes të cilave gjashtë vite i kaloi në burg.