Shenjti i ditës – 24 qershor: Lindja e Shën Gjon Pagëzuesit, profet e martir

Written by on June 23, 2017

Lindja e Shën Gjon Pagëzuesit, profet e martir

  

            Për Shën Gjon Pagëzuesin flasin gjerësisht katër ungjijtë. Lindi në një familje priftërinjsh. Elizabeta, kushërira e Virgjërës së lume, ishte pasardhëse e Aronit. Kryengjëlli Gabriel duke i paralajmëruar Zakarisë lindjen e të birit, i tha se emri i tij do të ishte Gjon (që do të thotë “Hyji është i butë) dhe i tregoi dhuntitë e mrekullueshme. Ai do të ishte i madh para Zotit. “Prej të lindurve prej gruaje nuk është askush më i madh se Gjoni”, do të thotë Jezusi. Do të ishte plot me Shpirtin Shenjt dhe shumë bij të Izraelit do t’i kthente kah Zoti, Hyji i tyre. Do të shkonte para Tij me frymë e fuqi të Elisë. Në lindjen e fëmijës e pranishme Maria, e cila kishte shkuar gjithë kujdes për të ndihmuar kushërirën në Ain Karim (shtatë kilometra në perëndim të Jeruzalemit). Aty Zakarisë i vjen goja dhe i zhdrivillohet gjuha dhe fillon të lëvdojë Hyjin, duke profetizuar misionin e madh të Gjonit: “E ti o djalosh do të quhesh profet i të Tejet Lartit, sepse do të shkosh përpara Zotit për t’ia përgatitur udhët”.

           

Kisha i përkujton shenjtërit në ditën e “lindjes” së tyre në jetën e përjetshme. Lindja në këtë jetë tokësore kremtohet liturgjikisht vetëm për Jezusin, Marinë dhe Gjonin. Tradita e të krishterëve të parë thotë se Pagëzuesi u lirua nga mëkati origjinal dhe u shenjtërua në kraharorin amnor në takimin e parë të Marisë me kushërirën Elizabetë. “Ja, porsa zëri i përshëndetjes sate arriti në veshët e mi, foshnja prej hareje kërceu në kraharorin tim”. Kjo festë është shumë e vjetër. Gjonit i jepet titulli dyfishtë i profetit të fundit dhe i apostullit të parë. “Është më shumë se një profet”, thotë Jezusi. Duke lajmëruar ardhjen e Mesisë, Gjoni bënte thirrje për kthim dhe jepte pagëzimin për faljen e mëkateve. Këtu e ka prejardhjen emri Pagëzues. Profet dhe apostull, Gjon Pagëzuesi është edhe martir. Ai e pagoi me jetë ashpërsinë morale dhe guximin për të kundërshtuar imoralitetin e një monarku të vogël që ishte i marrosur pas mbesës, e cila nuk ngurroi t’i kërkonte kokën e Pagëzuesit. Martirizimi i tij kremtohet liturgjikisht më 29 gusht.


Current track

Title

Artist