Shenjti i ditës: 24 Maj – Shën Vinçenci i Lerinsit, abat (+445)

Written by on May 23, 2017

Shenjti i ditës: 24 Maj – Shën Vinçenci i Lerinsit, abat (+445)

 

Monakizmi, i sjellë nga Lindja në ishullin mesdhetar të Lerinsit nga Shën Onarati i Lorenës në fillim të shekullit V, la një gjurmë të thellë në frymën shpirtërore të mesjetës, falë një aradhe të zgjedhur murgjish të shenjtë. Në mesin e tyre dallohet edhe shenjti i sotëm. Shkëputja ungjillore nga bota nuk interpretohej më si një ftesë për vetmi vetëm në vete, në një lloj anarkie vetmitare, të cilës Shën Pakomi i kishte vënë fre me themelimin e kuvendeve. Por interpretohej si një farë e mirë e përcaktuar për mbrujtjen në fe të të gjithë bashkësisë kishtare.

Vinçenci vinte nga një familje fisnike e Galisë. Si shumë të rinj të pasur ishte dërguar për karrierë ushtarake, pasi ishte koha kur Lindja ndodhnin migrimet e papërmbajtura të popujve barbarë. Roma e kishte njohur poshtërimin e parë të plaçkitjeve dhe në qëndrueshmërinë e gurtë të perandorisë shfaqeshin krisjet e rënies. Ndoshta për këtë arsye, Vinçensi vendosi ta braktiste jetën ushtarake për atë të kuvendit. Në rrethoren e sigurt të kuvendit, Vinçenci shkroi veprën e tij të famshme Commonitorium, që ishte fryt i meditimeve të përditshme mbi realitetet e reja tokësore. Heshtjet e tij gjejnë shpjegim në veprën agustiniane Qyteti i Hyjit, pasi ishte një lexues dhe përkthyes i kujdesshëm i tij. Roli i kishës nuk ishte të hynte nën perandori dhe t’i garantonte asaj vazhdimësinë, por që t’i ofronte mbrojtje burimeve kryesore të doktrinës së krishterë, Shkrimeve të Shenjta, që janë pikë kyçe në zhvillimin e ngjarjeve njerëzore. Përmes traktatit të tij të shkurtër, por të çmuar, Vinçenci na dha në vitin 434 metrin për të matur mirësinë e një tradite dhe një pohimi teologjik: “Quod ubique, quod semper, quod ab omnibus creditum est” – pra duhet t’i përmbahemi “asaj që është besuar kudo, gjithnjë e nga të gjithë”. Tradita e krishterë është një traditë e gjallë, dhe vetë dogma zhvillohet sipas këtij ligji të formuluar nga Shën Vinçenci, të cilin e përvetësoi Koncili I i Vatikanit.


Current track

Title

Artist