Shenjti i ditës: 23 shkurt – Shën Polikarpi me shokë, martir në vitin 155
Written by Radio Maria on February 22, 2017
Shenjti i ditës: 23 shkurt – Shën Polikarpi me shokë, martir në vitin 155
Për martirizimin e ipeshkvit të Smirnës dhe dymbëdhjetë besnikëve të tij na flet një dokument mjaft i çmuar i vitit 156. Ky dokument vjen vetëm një vit pas vdekjes heroike të Polikarpit, i cili u dogj gjallë në amfiteatrin e qytetit. Në letrën e të krishterëve të Smirnës dërguar të krishterëve të Filomelit dhe gjithë «Kishës së shenjtë katolike» lexohet se prokonsulli Stacio Kuadrato arriti ta gjente ipeshkvin, i cili, «për shkak dyshimit të përvuajtur ndaj vetes», ishte fshehur në një hambar. Siç duket, Polikarpi nuk dëshironte, si miku i tij Injaci i Antiokisë, të bëhej ushqim për egërsirat. Ishte tashmë i vjetër, i kishte mbushur tetëdhjetë e gjashtë vjeç dhe ishte i vetëdijshëm se nuk mund t’u besonte shumë forcave të veta. Por, pasi u kap, dha prova se kishte një guxim të qetë. Prokonsullit, që i kërkoi ta mohonte Krishtin, iu përgjigj qetësisht kështu: «Që prej tetëdhjetë e gjashtë vjetësh i shërbej dhe nuk më ka bërë asnjëherë asgjë të keqe; si mund ta shaj mbretin tim që më ka shpëtuar?». Ndërsa pas kërcënimit se do të digjej i gjallë, ai tha: «Zjarri me të cilin më kërcënon, të djeg për një çast, pastaj kalon. Unë i druhem zjarrit të përjetshëm të mallkimit». Shpallja e fesë i kushtoi ipeshkvit të vjetër dënimin në turrën e druve. Bëhej kështu «një bukë që piqet», euharisti e gjallë, kurse buzët e tij shqiptonin lutjen e fundit të mrekullueshme: «Qofsh gjithnjë i bekuar, o Zot … ».
Polikarpi ishte kthyer prej Gjonit apostull në vitet 80, në moshë shumë të re dhe «u mësua nga dëshmitarët e drejtpërdrejtë të jetës së Fjalës». Polikarpi dhe miku Injaci, ipeshkvi Antiokisë, janë unazat lidhëse mes apostujve dhe breznive pasardhëse të krishtera në Azinë e Vogël dhe në Gali, përmes dishepullit të tyre Ireneut, ipeshkëv i Lionit. Të dhënat që i përkasin ipeshkvit të Smirnës janë të dorës së parë: ka një letër të tijën që u është shkruar të krishterëve të Filipesë në Maqedoni si përgjigje ndaj kërkesës së tyre për të pasur ndonjë fjalë të mirë prej atij që e kishte njohur nga afër apostullin e përzgjedhur të Jezusit, e ndoshta edhe ndonjë shkrim të mikut Injacit të Antiokisë ose «prej të tjerëve që kishin parë Zotin». Letra e përgjigjes së Polikarpit ka mbërritur deri te ne, është lexuar e rilexuar për shekuj me radhë nga Kishat e Azisë, bashkë me letrën e «Kishës së Hyjit shtegtare në Smirnë», në të cilën tregohet me mallëngjim dëshmia e fundit e fesë që bëri ipeshkvi i vjetër.